Franca është një nga partnerët kryesorë të Kosovës në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit.

Vizita në Kosovë e ministrit të Deleguar të Francës për Çështjet Evropiane, Benjamin Haddad, përbën një moment të rëndësishëm si për rajonin, ashtu edhe për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Në një intervistë për RTK-në, ministri flet për rezultatet e vizitës së tij në Kosovë dhe çështjet kryesore të diskutuara gjatë qëndrimit në vend.

RTK: Zoti ministër, vizita juaj në Kosovë po përfundon. Cili është vlerësimi juaj i përgjithshëm për takimet që keni zhvilluar dhe cili është mesazhi kryesor që po merrni me vete nga kjo vizitë?

Benjamin Haddad: Mesazhi që solla në Kosovë është një mesazh miqësie. Kombet tona kanë qëndruar pranë njëra-tjetrës që nga fillimi. Ne ishim këtu në vitin 1999 dhe ishim këtu edhe në vitin 2008 për të mbështetur, që në fazat e para, pavarësinë e Kosovës. Tani po përgatitemi së bashku për të ardhmen e Evropës.

Kam ardhur për të thelluar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat. Dje nënshkruam pesë marrëveshje ambicioze me Qeverinë e Kosovës, që përfshijnë bashkëpunimin në drejtësi, kulturë dhe arsim, si dhe promovimin e gjuhës frënge në Kosovë. Sot ndodhemi në Institutin Francez, ku shumë të rinj kosovarë vijnë për të lexuar dhe për të mësuar gjuhën frënge.

Gjithashtu, nënshkruam dy marrëveshje për të mbështetur Kosovën në organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, përfshirë një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim për rinovimin e infrastrukturës sportive dhe rinore në funksion të përgatitjeve për këto lojëra.

Kjo i shtohet një programi tjetër zhvillimor prej 80 milionë eurosh nga e njëjta agjenci, i cili mbështet tranzicionin energjetik. Këto marrëveshje hapin rrugën për projekte edhe më ambicioze në muajt që vijnë.

Më 17 mars, kryeministri Kurti zhvilloi një drekë pune me Presidentin Macron në Paris. Vizita ime është vazhdimësi e atij takimi dhe është një dëshmi e angazhimit të Francës ndaj Kosovës, por edhe ndaj Ballkanit Perëndimor në tërësi, një rajon me rëndësi strategjike për ribashkimin e kontinentit tonë evropian.

RTK: Franca e ka mbështetur vazhdimisht perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Si e shihni Kosovën sot në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian?

Benjamin Haddad: Së pari, dua të theksoj se integrimi i Ballkanit Perëndimor është me rëndësi jetike për Evropën. Nëse synojmë ribashkimin e kontinentit tonë dhe garantimin e paqes e stabilitetit, nuk mund të lëmë asnjë pjesë të tij jashtë këtij procesi.

Megjithatë, duhet të jemi shumë të qartë: procesi i zgjerimit bazohet në meritë. Kjo do të thotë se çdo vend duhet të zbatojë reforma, të forcojë sundimin e ligjit, të harmonizojë legjislacionin e tij me acquis communautaire, pra me legjislacionin e Bashkimit Evropian, si dhe të respektojë angazhimet ndërkombëtare që ka marrë përsipër.

Po, unë mbështes perspektivën evropiane të Kosovës dhe ky është një qëndrim i qartë i Qeverisë franceze.

Ky proces do të ecë përpara përmes zbatimit të marrëveshjeve, siç është Marrëveshja e Brukselit, në të cilën kemi punuar dhe për zbatimin e së cilës jemi të gatshëm ta mbështesim Kosovën. Po ashtu, do ta ndihmojmë vendin edhe në realizimin e reformave të nevojshme për përafrimin me legjislacionin evropian.

Është një proces kërkues, por njëkohësisht përbën garancinë më të mirë për demokracinë liberale, luftën kundër korrupsionit dhe ndërtimin e një Bashkimi Evropian që mbështetet në bashkëpunim, institucione demokratike, paqe dhe stabilitet.

RTK: Franca kontribuon në sigurinë e Kosovës përmes pjesëmarrjes së saj në KFOR. Si e vlerësoni situatën aktuale të sigurisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, në dritën e zhvillimeve të sotme gjeopolitike?

Benjamin Haddad: Keni të drejtë. Jetojmë në një moment me sfida të mëdha gjeopolitike. Në kufijtë tanë kemi luftën agresore të Rusisë kundër Ukrainës dhe kemi qenë përkrah ukrainasve në rezistencën e tyre heroike. Po ashtu, ekzistojnë pasiguri lidhur me rolin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara në garantimin e sigurisë, si dhe presioni ekonomik që vjen nga Kina.

Në këtë kontekst, Evropa duhet të forcojë sovranitetin e saj, autonominë strategjike dhe të shndërrohet në një fuqi të vërtetë. Kjo është ajo që Presidenti Macron ka mbështetur që nga viti 2017.

Sot shohim investime të konsiderueshme në mbrojtje dhe një bashkëpunim shumë më të ngushtë evropian në fushën e sigurisë. Një shembull është Koalicioni i të Gatshmëve për Ukrainën, i cili na lejon të koordinojmë mbështetjen për Ukrainën dhe të ndërtojmë garancitë e sigurisë për periudhën pas një armëpushimi.

Sot, pjesa më e madhe e mbështetjes për Ukrainën vjen nga vendet evropiane. Kujtoni se vetëm një vit më parë, pas takimit në Zyrën Ovale mes Presidentit Trump, Zëvendëspresidentit Vance dhe Presidentit Zelensky, shumëkush mendonte se Ukraina do të braktisej dhe Evropa do të mbetej në margjina. Në vend të kësaj, Evropa mori përgjegjësinë për sigurinë e saj dhe sot ukrainasit vazhdojnë t’i bëjnë ballë agresionit rus.

Në këtë kontekst, nuk mund të lëmë pas dore asnjë rajon. Prandaj, angazhimi ynë për sigurinë e Ballkanit Perëndimor mbetet thelbësor.

Siç e dini, Bashkimi Evropian ka dy misione të rëndësishme në rajon: EUFOR Althea në Bosnje dhe Hercegovinë dhe KFOR-in në Kosovë, të cilin e vizitova dje. Franca ka një kontingjent ushtarak në KFOR. Në vitin 1999 dhe në fillim të viteve 2000 kishim rreth 6 mijë ushtarë francezë në Kosovë. Sot numri është më i vogël, por dje pata rastin t’i vizitoj dhe t’i falënderoj për angazhimin e tyre.

Le të jemi realistë: fatmirësisht situata e sigurisë është e qetë, por duhet të mbetemi gjithmonë vigjilentë. Pikërisht për këtë arsye angazhimi ynë në KFOR dhe për sigurinë e rajonit vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm.

RTK: Nga këndvështrimi ekonomik, a prisni një angazhim më të madh të kompanive franceze në Kosovë? Cilët sektorë i shihni si ata që ofrojnë potencialin më të madh për bashkëpunim?

Benjamin Haddad: Pa dyshim. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme. Gjatë viteve të fundit kemi parë një rritje të investimeve franceze dhe të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, gjë që është një zhvillim shumë pozitiv.

Kosova po zhvillohet me ritme të shpejta dhe kjo krijon mundësi të reja edhe për kompanitë franceze.

Dje vizitova dyqanin Decathlon në një qendër tregtare në Prishtinë. Ai është një shembull shumë i mirë i një marke të njohur franceze që ka investuar në Kosovë. Kemi edhe marka të tjera franceze, si Carrefour, si dhe kompani të tjera që pritet të zgjerojnë aktivitetin e tyre në muajt e ardhshëm.

Në këtë vizitë më shoqëruan edhe përfaqësues të kompanive franceze, veçanërisht nga sektori i sportit, sepse Lojërat Mesdhetare 2030 do të jenë një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën.

Ne kemi fituar përvojë të vlefshme nga organizimi i Lojërave Olimpike në Paris dhe besoj se kjo përvojë mund të ndahet me Kosovën. Pikërisht në këtë sektor shoh potencial të madh për bashkëpunim.

Por nuk kufizohem vetëm te sporti. Inteligjenca artificiale, teknologjia, tranzicioni energjetik, dekarbonizimi, kultura dhe arsimi janë fusha me perspektivë të jashtëzakonshme për bashkëpunim të thelluar ndërmjet dy vendeve tona.

Prandaj, kjo vizitë nuk është një ngjarje e izoluar. Ajo përfaqëson një nivel të ri në marrëdhëniet mes Francës dhe Kosovës dhe është një sinjal i qartë se na presin projekte dhe partneritete edhe më të mëdha në të ardhmen.