**Haliti: PDK nuk duhet të përjashtojë marrëveshjen me LVV-në për bashkëqeverisje**
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk duhet ta përjashtojë mundësinë e një marrëveshjeje politike me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV). Kështu shprehet ish-deputeti i kësaj partie, Xhavit Haliti, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë duhet të ndërtohet mbi një marrëveshje për qeverinë dhe jo vetëm për zgjedhjen e presidentit.
Në një intervistë për KosovaPress, Haliti deklaroi se çdo marrëveshje ndërmjet dy partive duhet të garantojë një program të përbashkët qeverisës për një mandat të plotë katërvjeçar.
Ai shtoi se brenda PDK-së ka zëra që e kundërshtojnë një bashkëpunim të tillë, dhe çështja, sipas tij, duhet të trajtohet në mënyrë demokratike brenda organeve të partisë.
Haliti thekson se zgjedhja e presidentit duhet të vijë pas një marrëveshjeje për bashkëqeverisje. Ai shprehu bindjen e tij personale se “nuk është keq të bëhet marrëveshje”, pasi partitë janë kundërshtarë politikë dhe jo armiq, ndonëse nuk është plotësisht optimist për arritjen e një koalicioni të plotë. “Gjithçka mund të ndodhë,” shtoi Haliti.
Ai përmendi Sami Lushtakun si një nga figurat që publikisht ka shprehur rezerva ndaj një koalicioni me LVV-në, duke theksuar se ai nuk është i vetmi me këtë qëndrim.
Duke folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, Haliti tha se në mungesë të një marrëveshjeje për qeverisje, PDK-ja nuk ka detyrim të mbështesë kandidatin për president. Megjithatë, sipas tij, partia mund të marrë vendime që shmangin bllokimin e institucioneve.
Haliti gjithashtu foli për kushtet që Bedri Hamza, një figurë e rëndësishme e PDK-së, i ka paraqitur liderit të LVV-së, Albin Kurti, gjatë takimit të tyre të fundit më 10 korrik. Edhe pse nuk ishte në dijeni të detajeve të takimit, Haliti beson se Hamza i ka paraqitur kushtet e PDK-së, ndoshta të lidhura me programin ekonomik të ish-kandidatit për kryeministër. Ai theksoi se zgjedhja e një presidenti, edhe nëse propozohet nga PDK-ja (por jo domosdoshmërisht anëtar i partisë), nuk do të thotë detyrimisht koalicion.
“Vendimi ynë i palëkundur është të mbetemi në opozitë, por të zgjedhim presidentin për të hapur rrugën zgjedhjes, duke shfaqur përgjegjësi politike për të mos bllokuar procesin,” përmbylli Haliti.
