Bedri Hamza, kandidat i PDK-së për kryeministër, ka theksuar se Kosova po përballet me vështirësi të thella ekonomike. Ai nënvizoi se bizneset po e kanë të vështirë të mbijetojnë, ndërkohë që qytetarët po përballen me një rritje të ndjeshme të shpenzimeve të jetesës.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Hamza bëri të ditur se ka takuar përfaqësues biznesi. Këta të fundit, sipas tij, kanë shprehur nevojën për më shumë mundësi zhvillimi dhe kërkojnë një shtet që i mbështet, e jo që u vendos pengesa.
“Bizneset mezi ia dalin. Qytetarët po paguajnë më shumë dhe po jetojnë më keq, për shkak të rritjes së kostos së jetesës. Përfaqësuesit e bizneseve që takova sot kërkojnë më shumë mundësi dhe një shtet që i ndihmon, jo që i pengon”, shkroi Hamza.
Ai theksoi se zhvillimi ekonomik duhet të jetë një prioritet absolut, duke shtuar se mbështetja e sektorit privat është thelbësore për krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Sipas Hamzës, ndryshimi rrënjoset në ekonomi, pasi, siç theksoi ai, “nuk mund të ketë zhvillim pa mbështetje për ata që krijojnë vende pune”.
