**Hamza prezanton zotimin e tretë për shëndetësinë: Sigurime shëndetësore, barna falas dhe shërbime cilësore – Thirrje për t’i dhënë fund krizës më 7 qershor**
Bedri Hamza, kryetar dhe kandidat për kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), prezantoi sot zotimin e tretë të programit të tij qeverisës, i cili fokusohet në ofrimin e shërbimeve shëndetësore cilësore.
Në një konferencë për shtyp, Hamza theksoi se gjatë takimeve me mijëra qytetarë në Kosovë, ka vënë re lodhjen e tyre nga pasiguria, sistemi i dobët shëndetësor dhe kostot e larta të mjekimit.
“Një pensionist gjendet para dilemës nëse do të blejë ilaçet e nevojshme apo do të paguajë faturën e energjisë. Një prind pret me muaj të tërë për një termin specialisti. Një pacient detyrohet të kërkojë trajtim jashtë vendit, sepse nuk e gjen atë në vend. Kjo situatë nuk është normale dhe duhet të ndryshojë,” tha Hamza. Ai shtoi: “Prandaj, sot kam kënaqësinë të prezantoj zotimin tonë të tretë: shëndetësi cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të aksesueshme për të gjithë. Sepse shëndeti nuk është privilegj, por një e drejtë themelore. Një shtet matet jo nga premtimet, por nga kujdesi që tregon për qytetarët e tij kur ata kanë më së shumti nevojë.”
Kreu i PDK-së u zotua se Qeveria e drejtuar prej tij do të implementojë sigurimet shëndetësore, do të sigurojë furnizim të rregullt me barna thelbësore dhe barna falas për pacientët me sëmundje kronike, si dhe do të themelojë Qendrën Kombëtare të Emergjencave Mjekësore. Gjithashtu, premtoi modernizimin e QKUK-së dhe ndërtimin e Spitalit Rajonal të Prishtinës.
Hamza detajoi: “Do të implementojmë sigurimet shëndetësore, në mënyrë që familjet të mbrohen nga shpenzimet e papërballueshme dhe askush të mos mbetet pa trajtim për arsye financiare. Do të sigurojmë furnizim të rregullt me barna thelbësore dhe barna falas për pacientët me sëmundje kronike.”
Ai shtoi se do të zbatojnë Programin Kombëtar për Kancerin, me diagnostikim të hershëm, depistim dhe trajtim sipas standardeve evropiane. Gjithashtu, theksoi afrimin e shërbimeve shëndetësore pranë qytetarëve përmes mjekësisë lëvizëse, veçanërisht në zonat rurale dhe të largëta. Premtoi krijimin e qendrave moderne rehabilitimi dhe kujdesit të specializuar për pacientët me nevoja afatgjata, themelimin e Qendrës Kombëtare për Trajtimin e Vartësive, mbështetjen e prodhimit vendor farmaceutik dhe digjitalizimin e sistemit shëndetësor me dosje elektronike e termine online.
Kreu i PDK-së ftoi qytetarët që më 7 qershor të votojnë numrin 125 për t’i dhënë fund krizës në çdo sektor.
Hamza e përmbylli fjalën e tij duke theksuar se “shëndetësia nuk është shpenzim, por investim në jetën e njerëzve, në dinjitet dhe në të ardhmen e Kosovës. Një popull i shëndetshëm do të thotë një ekonomi e shëndetshme.” Ai ripërsëriti thirrjen: “Më 7 qershor, bashkë do t’i japim fund krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën.”
