Haradinaj: Nuk shoh zgjidhje, përveç zgjedhjeve

Daut Haradinaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka deklaruar se vendi nuk ka zgjidhje tjetër përveç mbajtjes së zgjedhjeve, por theksoi se para se të shkohet në një proces të ri zgjedhor, duhet të krijohet një qeveri teknike.

Në një intervistë për portalin “Periskopi”, Haradinaj akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po e shfrytëzon aparatin shtetëror për përfitime elektorale. Ai pretendon se Kurti nuk po garon si kryetar i një partie politike, por nga pozita e pushtetit.

“Unë nuk shoh zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve,” citohet Haradinaj. “Aleanca e sheh si kusht parësor, para se të shkojmë në zgjedhje, kërkesën për një qeveri teknike, qoftë edhe gjashtëmujore. Nëse aparatura shtetërore vihet në dispozicion [të një pale], nuk ka nevojë të shkohet në zgjedhje – thjesht do të përsëritet rezultati.”

Ai shtoi se përdorimi i burimeve shtetërore krijon pabarazi në garën zgjedhore, duke përmendur, sipas tij, shpenzime të mëdha publike, personel institucional dhe mjete shtetërore që, siç thotë ai, po përdoren gjatë fushatës.

“Nëse ai del me gjithë këtë makineri [shtetërore]… nëse ka rreth 5 mijë pjesëtarë të stafit me automjete e karburant, si dhe gjithë mekanizmin tjetër, në pozitat kryesore të shtetit dhe del në terren për fushatë, çfarë zgjedhjesh demokratike do të ishin ato? Është sikur t’i biesh murit me kokë,” u shpreh ai.

Haradinaj kërkoi krijimin e një qeverie të përkohshme me pjesëmarrjen e të gjitha subjekteve politike, përfshirë edhe Lëvizjen Vetëvendosje, me qëllim që zgjedhjet të organizohen në mënyrë transparente dhe në kushte të barabarta.