Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar datën 6 gusht për mbajtjen e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, njofton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media, Haxhiu theksoi se vendimi është marrë në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe pas konsultimeve përkatëse.

Ditë më parë, në një deklaratë për media, Haxhiu kishte theksuar se nuk ishte nxituar me caktimin e seancës, me argumentin që partitë politike të kishin kohë të mjaftueshme për të negociuar rreth zgjedhjes së presidentit.

Ajo citohet të ketë thënë: “Unë i kam mbështetur dhe i kam përshëndetur takimet që janë zhvilluar ndërmjet kryeministrit dhe kryetarit aktual të Vetëvendosjes, zotit Albin Kurti. Siç e dini, janë zhvilluar dy takime, njëri me PDK-në, tjetri me LDK-në. LDK-ja i ka pezulluar takimet për shkak të zhvillimeve të brendshme. Natyrisht që unë nuk komentoj çështjet e brendshme të partive politike, por është shumë e rëndësishme që, sa më parë, këto takime të vazhdojnë në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për çështjen e presidentit.”

Haxhiu mohoi të ketë pasur ndonjë marrëveshje mes kryeministrit Kurti dhe Lumir Abdixhikut, në lidhje me formimin e institucioneve, përfshirë çështjen e presidentit.

Ajo kishte sqaruar: “Nuk ka pasur marrëveshje. Po të kishte marrëveshje, sigurisht që do ta bënim publike. Në takim kanë qenë kryeministri Kurti dhe Ministri i Financave z. Murati, ndërsa në anën tjetër zoti Abdixhiku dhe zonja Osmani Sadriu. Ka pasur diskutime për rrugën që do të ndjekim përpara, por jo marrëveshje.”