Haxhiu: Data e seancës konstituive shpallet të premten

Legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet në javën e parë të gushtit. Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se data zyrtare e seancës konstituive do të shpallet këtë të premte.

Haxhiu theksoi se nuk është nxituar me caktimin e datës, me qëllim që t’u jepet hapësirë partive politike për të vazhduar negociatat për arritjen e një marrëveshjeje, veçanërisht lidhur me zgjedhjen e Presidentit të vendit. Ndërkohë, ajo i vlerësoi pozitive takimet e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me opozitën, megjithëse bisedimet me LDK-në janë pezulluar për shkak të zhvillimeve të brendshme në këtë parti.

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, thekson nevojën për takime të vazhdueshme mes Ushtrueses së detyrës së Presidentes dhe partive politike, si dhe diskutime për krijimin e një koalicioni qeverisës. Ai shtoi se partitë politike duhet të rrisin angazhimet për të anashkaluar krizat politike.

“Duke njohur këtë klasë politike si të papërgjegjshme, fatkeqësisht shumë të papërgjegjshme madje, dhe kontraverse, sot thonë diçka, nesër diçka tjetër, e bëjnë edhe të tretën. Pra, nuk jam shumë optimist, por rrethanat janë të tilla që këta nuk do të duhej të shkonin sërish në zgjedhje, sepse do të ishte fatale në kuptimin politik për të gjitha subjektet politike, për disa më shumë e për disa më pak,” ka deklaruar për RTK, Mazllum Baraliu.

Edhe analistë të fushës së politikës bëjnë thirrje për më shumë përgjegjësi nga të gjithë aktorët politikë. Ata theksojnë se Kosova nuk ka më kohë për zvarritje, pasi çdo ditë pa institucione funksionale ndikon negativisht në proceset reformuese dhe në aspiratat euroatlantike të vendit.

Fatime Hajdari, analiste politike, ka thënë se “thellimi i krizës së brendshme në Lidhjen Demokratike të Kosovës do ta vështirësojë edhe më shumë procesin për të shkuar tutje, sepse çdo marrëveshje që del nga ky subjekt politik mund të pengohej nga mungesa e disa votave, dhe ne e dimë sa e rëndësishme është secila votë. Me PDK-në, realisht, si në të kaluarën ashtu edhe tani, kemi pasur një hezitim të bashkëpunimit, ndoshta për faktin që janë dy subjektet më të mëdha në vend, me një diferencë të madhe. Megjithatë, janë dy subjekte politike në vend dhe mund të kemi një bashkëpunim që do të krijonte zgjidhje për shumë çështje dhe problematika.”

Ndërsa seanca konstituive pritet të mbahet në javën e parë të gushtit, vëmendja mbetet te negociatat mes partive politike. Mbetet të shihet nëse ditët në vijim do të sjellin kompromisin e domosdoshëm për konstituimin e Kuvendit dhe hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.