Haxhiu: Misionet ndërkombëtare nuk trajtuan seriozisht krimet serbe në Kosovë; Dhuna seksuale gjatë luftës, krim i mbajtur gjatë në heshtje.
Këto deklarata u bënë nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Eliminimit të Dhunës Seksuale në Konflikt, raporton Ekonomia Online.
“Në Kosovën e pasluftës, shumë gjëra u regjistruan: shtëpitë e djegura, masakrat, të vrarët, të pagjeturit, dëmet, varret, kolonat e gjata. U numërua gjithçka që ishte e dukshme. Megjithatë, ajo që mbeti thellë brenda njeriut, mbeti e paemër dhe e pazëshme në rrëfimin tonë publik.
Dhuna seksuale gjatë luftës ishte një nga krimet e mbajtura më gjatë në heshtje. Ajo u shndërrua në një barrë të fshehtë dhimbjeje, të cilën njeriu e mbart me vete edhe pas përfundimit të luftës. Përmendja e këtij krimi ishte sfiduese, pasi shoqërohej me frikë të thellë, turp dhe paragjykime. Prandaj, sot duhet të flasim me kujdes të veçantë.
Rrëfimi u përket personave të dhunuar gjatë luftës. Ne jemi këtu për të bërë të qartë se Republika e Kosovës, shteti ynë, u detyrohet atyre njohje, drejtësi dhe kujdes institucional,” theksoi Haxhiu.
Ajo shtoi se krimet seksuale kishin për qëllim jo vetëm dëmtimin e individit, por edhe minuar ndjenjën e sigurisë së gjithë shoqërisë.
“Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt na kujton se ky fenomen nuk ishte një pasojë anësore e luftës. Përkundrazi, ishte një krim i qëllimshëm që synonte jo vetëm trupin e individit, por edhe familjen, komunitetin dhe vetë ndjenjën e sigurisë së një shoqërie të tërë. Prandaj, Haxhiu theksoi se turpi nuk u përket viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës, por atyre që e kryen, urdhëruan dhe mohuan këtë krim. Ata që e kryen dhe urdhëruan, duhet të ndëshkohen nga sistemi i drejtësisë.
Në këtë drejtim, pak është bërë pas përfundimit të luftës. Fatkeqësisht, misionet ndërkombëtare të dërguara në Kosovë me këtë objektiv, nuk iu përkushtuan seriozisht trajtimit të krimeve të kryera nga Serbia në vendin tonë. Këtë e kam theksuar edhe më parë, dhe po e përsëris: asnjë nga misionet e ngarkuara me hetimin e krimeve të luftës, në të vërtetë nuk e mori përsipër këtë detyrë.
Vitet e fundit, besoj se jemi dakord se ka pasur përparime në këtë fushë, megjithëse numri i krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë është aq i madh saqë edhe veprimet e ndërmarra kohët e fundit duken të pamjaftueshme,” shtoi Haxhiu.
Ajo i bëri thirrje institucioneve të drejtësisë të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të trajtuar krimet e luftës.
“Prandaj, i bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërmarrin veprime konkrete dhe të mos ndalin angazhimin për trajtimin e krimeve të luftës. Fatmirësisht, tashmë ka dënime për persona të dhunuar seksualisht gjatë luftës, si dhe shumë hetime e aktakuza. Me këtë rast, dua të falënderoj zonjën Feride Rushiti për punën e saj të jashtëzakonshme në këtë drejtim, si dhe të gjitha organizatat që në thelb kanë zëvendësuar rolin e shtetit. Kjo pasi ishte detyrë e shtetit tonë të merrej me këtë çështje që nga përfundimi i luftës, por veprimet për fuqizimin e institucioneve të drejtësisë, rritjen e numrit të prokurorëve në kuadër të strategjisë për drejtësinë tranzicionale dhe gjykimet në mungesë, janë ndërmarrë shumë vonë,” përfundoi Haxhiu.
