Presidentja në Detyrë, Albulena Haxhiu, në Studime: Shteti do të jetë pranë jush në çdo hap drejt drejtësisë

Presidentja në detyrë, Albulena Haxhiu, mori pjesë në akademinë përkujtimore në nder të viktimave të masakrës së Studimes së Vushtrrisë. Në fjalën e saj, Haxhiu theksoi se pas krimit të kryer nga Serbia më 2 maj 1999, banorët e mbijetuar të Studimes u dëbuan drejt Shqipërisë.

“Jemi mbledhur sot këtu në Studime, në vendin ku më 2 maj 1999, brenda dy orëve, humbën jetën 116 civilë shqiptarë. 116 civilë shqiptarë: fëmijë, të rinj, gra, burra dhe pleq”, tha Haxhiu. Ajo shtoi se ata po largoheshin nga fshatrat e rrethuara për t’i shpëtuar vdekjes, por rruga e tyre u ndërpre nga forcat serbe. “Një shtet i tërë kishte kthyer aparatin e tij ushtarak, policor dhe paraushtarak në makineri të spastrimit etnik, të vrasjeve dhe të gjenocidit”, vijoi ajo.

Haxhiu vuri në dukje se pas masakrës së 2 majit, për familjet e Studimes tmerri dhe dhuna nuk morën fund. “Masakra nuk ishte fundi i operacionit gjenocidal të Serbisë, por një nga hallkat e tij. Të vrarët mbetën pas. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u nisën të dëbuar drejt Shqipërisë. Burrat, të ndarë nga kolona, u dërguan në burgun e Smrekonicës, ku u rrahën, u morën në pyetje, u lanë në kushte çnjerëzore dhe u torturuan”, shpjegoi Presidentja në detyrë.

Ajo theksoi se Serbia nuk u mjaftua me vrasjet, por synonte të zbrazte vendin, të thyente familjen, të poshtëronte të mbijetuarit dhe ta linte krimin pa gjykim. “Edhe sot, Serbia strehon kriminelët e luftës. Kështu vepron një shtet kur krimin e ka politikë”, u shpreh Haxhiu.

Më tej, ajo bëri lidhje mes masakrës së Studimes dhe krimeve të tjera, duke përmendur Nabërgjanin, ku një ditë para Studimes u vranë 17 civilë shqiptarë, si dhe Bukoshin, ku një ditë pas Studimes, 25 burra dhe djem u nxorën nga kolona e të dëbuarve dhe u ekzekutuan në oborrin e shkollës. Haxhiu përmendi edhe Mejën, Krushën, Izbicën, Poklekun, Rezallën, Korenicën dhe shumë vende të tjera ku Serbia la njerëz të vrarë, nëna pa fëmijë dhe fëmijë pa prindër.

Duke iu drejtuar familjarëve, Haxhiu tha: “Të dashur familjarë, ju keni jetuar më gjatë me mungesën sesa me praninë e shumë prej më të dashurve tuaj. Keni jetuar me kujtime, me pritje dhe me shumë pyetje, të cilave ende nuk u janë dhënë përgjigje. Por ju keni qëndruar. Keni ruajtur të vërtetën kur të tjerët kanë provuar ta shtrembërojnë dhe, më e rëndësishmja, keni folur kur është dashur të dëshmohet për krimet e kryera nga Serbia në vendin tonë”.

Haxhiu premtoi se institucionet do të jenë pranë familjarëve në çdo hap drejt drejtësisë. “Shteti do të jetë pranë jush jo vetëm në përvjetore. Do të jemi pranë jush në mbledhjen e dëshmive, në prokurori, në gjykata, në arkiva, në kujtesën publike, në shkolla dhe në diplomaci. Këtë përgjegjësi e ndjej thellë edhe unë në detyrën time të sotme, dhe zotohem se Studimja nuk do të mbetet vetëm në kujtesën e familjeve, por do të jetë pjesë e punës së përditshme të institucioneve, përfshirë ato të drejtësisë, në mënyrë që kriminelët e luftës të mos mbeten të pandëshkuar”, deklaroi Presidentja në detyrë.

Ajo theksoi se masakra e Studimes, përveç dhimbjes së familjarëve, është pjesë thelbësore e historisë politike të Republikës së Kosovës. “Njerëz të pafajshëm u vranë sepse ishin shqiptarë dhe sepse Serbia synonte një Kosovë pa shqiptarë. Sot ne jetojmë në Republikën e Kosovës sepse ai projekt ka dështuar. Dështoi falë Luftës Çlirimtare, falë sakrificës së martirëve dhe dëshmorëve tanë, si dhe falë ndërhyrjes së aleatëve tanë perëndimorë. Dështoi sepse vullneti për liri ishte më i fortë se terrori”, tha Haxhiu.

Në përvjetorin e 27-të të masakrës së Studimes, Haxhiu përmbylli fjalën e saj me një mesazh të fuqishëm: “Sot, me përulje dhe respekt kujtojmë 116 civilët e vrarë më 2 maj 1999. Kujtojmë martirët e Nabërgjanit, kujtojmë burrat dhe djemtë e Bukoshit, kujtojmë të gjithë të vrarët, personat e zhdukur me dhunë, të dëbuarit, të mbijetuarit dhe të burgosurit e torturuarit e luftës së fundit në Kosovë. I kujtojmë sepse janë themeli i lirisë sonë. I nderojmë sepse mbi sakrificën e tyre është ngritur shteti ynë. Kërkojmë drejtësi, sepse pa të, kujtesa mbetet e paplotë, familjarët të rënduar dhe paqja e cunguar.”

“Lavdi martirëve të Studimes! Lavdi gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit! Lavdi popullit të Kosovës, i cili nuk u përkul asnjëherë!”, përfundoi Presidentja në detyrë Albulena Haxhiu.