Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka publikuar për herë të parë listën institucionale paraprake të viktimave të luftës, në të cilën janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu theksoi se lista është ende paraprake dhe procesi i dokumentimit do të vazhdojë. Ajo nënvizoi rëndësinë e këtij dokumentimi, duke thënë se “pas çdo numri është një jetë e ndërprerë, një familje që pret drejtësi dhe një dhimbje që nuk është shuar kurrë.” Prandaj, sipas Haxhiut, dokumentimi i së vërtetës nuk është vetëm një detyrë institucionale, por edhe një obligim moral ndaj viktimave dhe brezave që vijnë.
Haxhiu vlerësoi lart punën e stafit të Institutit, duke theksuar se secili rast po trajtohet me profesionalizëm dhe ndjeshmëri njerëzore. Ajo rikujtoi se rithemelimi i Institutit me ligj të posaçëm kishte për qëllim krijimin e një institucioni të qëndrueshëm, me mandat të qartë për dokumentimin e krimeve të luftës.
“Instituti ka nisur të krijojë evidencën zyrtare të viktimave, ndërsa puna duhet të vazhdojë me dokumentimin e masakrave, dëbimeve, dhunës seksuale, burgosjeve, torturave, varrezave masive dhe dëmeve të tjera të shkaktuara nga Serbia gjatë luftës,” u shpreh Haxhiu.
Ajo theksoi se dokumentimi do të vazhdojë derisa çdo viktimë të identifikohet dhe çdo krim i luftës të dokumentohet zyrtarisht, duke siguruar që e vërteta të mos mbetet vetëm në kujtesën e familjeve, por të zërë vendin e merituar në historinë dhe ndërgjegjen e shtetit të Kosovës.
