Haziri: Mos u merrni me dëshirat e zyrtarëve serbë, le t’i rikthehemi bashkëpunimit në Kosovë dhe të realizojmë bashkimin e shqiptarëve

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe dialog të brendshëm, në mënyrë që të ecet përpara dhe të realizohet bashkimi kombëtar.

Kjo deklaratë e tij vjen pas fjalës së një ministreje serbe lidhur me spastrimin etnik në Kosovë, ndërsa Haziri theksoi se nuk duhet të merremi me deklarata të tilla.

Haziri gjithashtu potencoi se Serbia ka dështuar në përpjekjet e saj për spastrim etnik në Kosovë.

Në një postim në Facebook, ai ritheksoi se Republika e Kosovës është një projekt i përhershëm.

“Mos u merrni me dëshirat e ministrave dhe kryeministrave serbë, por le t’i rikthehemi bashkëpunimit dhe dialogut të brendshëm në Kosovë, për të nxitur procese dhe për të realizuar ëndrra drejt bashkimit të shqiptarëve. Republika e Kosovës është një projekt i përhershëm, e cila bashkon shqiptarët dhe shërben si urë pajtimi për popujt ballkanikë”, ka shkruar Haziri.