**Zgjerohen Hetimet për Vrasjen e Arlinda Zekajt: Vjehrra dyshohet se Ndihmoi dhe Vëzhgoi Djalin Gjatë Sulmit Fatal**

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka zgjeruar hetimet lidhur me rastin e vrasjes së rëndë të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Fokus i hetimeve të reja është ish-vjehrra e viktimës, Nurije Sylaj, e cila dyshohet se jo vetëm që ka ndihmuar në përgatitjen e vrasjes, por edhe ka qenë dëshmitare e sulmit fatal, duke e vëzhguar djalin e saj, Albert Sylaj, teksa godiste viktimën me sëpatë.

Hetimet janë zgjeruar tashmë ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, Jeton Sylajt, ish-vjehrrës Nurije Sylajt, ish-kunatit Driton Sylajt, si dhe ndaj dy personave të tjerë, Metë Pepajt dhe Gëzim Bobit.

Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit, menjëherë pasi ishte kthyer në shtëpinë e saj, ku u dërgua me patrullë policore.

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Nurije Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj. Ajo, që nga data 22 tetor, kur viktima Arlinda Zekaj ishte kthyer për të jetuar në shtëpinë familjare, ka fotografuar dhe incizuar vazhdimisht lëvizjet e saj, duke ruajtur në telefonin mobil fotografi dhe video që pasqyronin praninë dhe lëvizjet e viktimës.

Gjithashtu, Prokuroria thekson se në telefonin e saj është gjetur një video e datës 23 tetor, në të cilën viktima shihet duke ecur në qytet, video kjo e cila dyshohet se i ishte dërguar nga Driton Sylaj përmes aplikacionit WhatsApp.

Këto veprime, sipas Prokurorisë, dyshohet se janë ndërmarrë në kuadër të një koordinimi paraprak me personat e tjerë dhe me qëllim të sigurimit, përcjelljes dhe shkëmbimit të informacioneve mbi lëvizjet dhe vendndodhjen e viktimës, duke krijuar kushte dhe lehtësuar realizimin e planit për privimin e saj nga jeta.

Në ditën kritike, më 25 tetor, Nurije Sylaj ka qenë e pranishme në shtëpi, fillimisht në sallon dhe më pas në dhomën e gjumit, gjatë kohës kur Albert Sylaj sulmoi viktimën Arlinda Zekaj me sëpatë. Ajo nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta penguar apo ndërprerë sulmin, ndonëse ishte prezente dhe në dijeni për veprimet që po zhvilloheshin. Pas kryerjes së veprës penale, në deklaratën e saj si dëshmitare, dyshohet se ka tentuar t’i devijojë hetimet dhe të fshehë rrethanat e vërteta të ngjarjes, duke pretenduar se viktima e kishte shtyrë dhe rrëzuar në tokë dhe se ajo vetë kishte qenë pa ndjenja në kohën e vrasjes.

Këto pretendime, sipas Prokurorisë, nuk përputhen me provat e deritanishme, veçanërisht me incizimet e kamerave të sigurisë, në të cilat shihet zhvillimi i një pjese të ngjarjes dhe prania e saj gjatë veprimeve të Albert Sylajt.

Me këto veprime, Nurije Sylaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.3, 1.4 e 1.8 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.

Ndërsa, Driton Sylaj dyshohet se me dashje ka ndihmuar në përgatitjen dhe lehtësimin e kryerjes së veprës penale nga Albert Sylaj. Ai ka përcjellë lëvizjet e viktimës dhe ka siguruar informacione për vendndodhjen e saj, duke e incizuar më 23 tetor teksa ecte në qytet. Videon e realizuar ia ka dërguar Nurije Sylajt përmes aplikacionit WhatsApp, dhe ky material është gjetur në telefonin e kësaj të fundit.