Policia e Kosovës shënoi sot Ditën Memoriale të Zyrtarëve Policorë të Rënë në Detyrë, përmes një sërë aktivitetesh përkujtimore, në nderim të zyrtarëve policorë që sakrifikuan jetën e tyre në shërbim të rendit dhe ligjit, mbrojtjes së sovranitetit të Republikës së Kosovës dhe sigurisë së qytetarëve.

Aktivitetet përkujtimore filluan me homazhe shtetërore pranë Lapidarit të Zyrtarëve Policorë të Rënë në Krye të Detyrës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Prishtinë.

Homazhe dhe vendosje kurorash me lule bënë ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha dhe përfaqësues të tjerë.

Në vazhdën e aktiviteteve, delegacioni institucional i përbërë nga Albin Kurti, Xhelal Sveçla, Gazmend Hoxha, zëvendësdrejtori i përgjithshëm i PK-së, Fehmi Hoti dhe përfaqësues të tjerë, bënë homazhe pranë varrit të Heroit të Kosovës, rreshterit Afrim Bunjaku, ku u vendosën kurora me lule në shenjë nderimi dhe respekti për sakrificën e tij. Më pas u zhvilluan vizita në familjen e Heroit Afrim Bunjaku dhe në familjen e Heroit Enver Zymeri, duke shprehur mirënjohje të thellë për kontributin dhe sakrificën e tyre në mbrojtje të Republikës së Kosovës.

Homazhe u bënë edhe pranë lapidarit në vendin e rënies së Heroit Enver Zymeri në Varagë të Zubin Potokut, ku u përkujtua heroizmi dhe përkushtimi i tij në mbrojtjen e rendit kushtetues dhe sovranitetit të vendit.

Në kuadër të shënimit të kësaj dite memoriale, drejtori Hoxha, së bashku me zëvendësdrejtorin Hoti, morën pjesë në ceremoninë e zbulimit të shtatores së Heroit Enver Zymeri në Kampin e Njësive Speciale në Mitrovicë. Kjo shtatore përfaqëson një simbol të përhershëm të guximit, sakrificës dhe përkushtimit të zyrtarëve policorë në mbrojtje të Republikës së Kosovës.

Policia e Kosovës mbetet përherë mirënjohëse ndaj të gjithë zyrtarëve policorë që ranë në krye të detyrës. Sakrifica, profesionalizmi dhe përkushtimi i tyre janë themel i forcimit të shtetit të së drejtës dhe frymëzim i vazhdueshëm për çdo zyrtar policor që i shërben me nder dhe përgjegjësi Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Lavdi e përjetshme heronjve dhe zyrtarëve policorë të rënë në krye të detyrës!