**Hulumtim i BBC-së: Pretendime të rreme për dhunë në familje, emigrantët mashtrojnë për qëndrim në Britani**

Një hulumtim i gjerë i BBC-së ka zbuluar se disa emigrantë në Mbretërinë e Bashkuar po shpërdorojnë sistemin e emigracionit, duke bërë pretendime të rreme për dhunë në familje. Kjo bëhet me qëllim që të sigurojnë më shpejt lejeqëndrimin e përhershëm në vend, duke shfrytëzuar rregulla të krijuara për të ndihmuar viktimat e vërteta. Këto rrugë ofrojnë një qëndrim të përshpejtuar, krahasuar me procedura të tjera si azili.

Sipas avokatëve, kontrollet e pamjaftueshme nga Ministria e Brendshme britanike po lejojnë që këto pretendime të kalojnë shpesh me pak ose aspak prova, ndërsa partnerët britanikë të këtyre emigrantëve përballen me pasoja serioze nga akuzat e rreme. Zbulimi është pjesë e një investigimi më të gjerë të BBC-së mbi sistemin e emigracionit, i cili tregon se burra dhe gra emigrantë hyjnë në marrëdhënie apo martesa me shtetas britanikë dhe më pas, pasi mbërrijnë në Britani, bëjnë akuza të rreme për dhunë në familje.

Disa prej tyre madje inkurajohen nga këshilltarë ligjorë, të cilët reklamojnë shërbimet e tyre online për të fabrikuar histori të tilla. Një gazetar i BBC-së, i cili punoi në fshehtësi, u takua me një këshilltar që e nxiti të bënte akuza të pavërteta për dhunë në familje.

**Një rritje alarmante e rasteve**

Numri i personave që kërkojnë lejeqëndrim të përhershëm me procedurë të përshpejtuar, bazuar në këto pretendime, ka arritur në mbi 5.500 në vit. Kjo shënon një rritje prej më shumë se 50% në vetëm tre vjet.

Në një rast të cituar, një nënë britanike u akuzua nga ish-partneri i saj për dhunë në familje, pasi ajo e kishte raportuar atë për dhunim seksual. Ajo dëshmon se akuza ishte e rreme dhe u bë vetëm që ai të mund të qëndronte në vend. Edhe pse pretendimet nuk u vërtetuan, ai arriti të shmangte kthimin në Pakistan.

**900 funte për një histori të fabrikuar**

Në një takim të fshehtë në një hotel në Londër, një këshilltar emigracioni u takua me një gazetar të BBC-së, duke besuar se ai ishte një klient. Gjatë telefonatës fillestare, këshilltari sugjeroi menjëherë që gazetari të pretendonte se ishte viktimë e dhunës në familje. Në takim, ai konfirmoi se ishte i gatshëm ta ndihmonte për 900 funte, duke krijuar një histori të trilluar për t’ia paraqitur autoriteteve me qëllim që të siguronte qëndrimin në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas rregullave aktuale, migrantët që janë viktima të dhunës në familje dhe ndodhen në Britani me vizë si partnerë të shtetasve britanikë, mund të aplikojnë për një skemë të veçantë mbrojtjeje. Kjo skemë u jep atyre lejeqëndrim për tre muaj dhe mundësinë për të përfituar ndihmë financiare. Gjatë kësaj periudhe, ata mund të aplikojnë për lejeqëndrim të përhershëm, duke u dhënë të drejtën të jetojnë, punojnë dhe studiojnë pa kufizim. Kjo është dukshëm më shpejt se rrugët e tjera, si azili, të cilat zakonisht kërkojnë të paktën pesë vjet.

Ekspertët shprehin shqetësimin se këto rregulla mund të shpërdorohen për shkak të procedurave të shpejta. Këshilltari i fshehtë shpjegoi se do ta paraqiste rastin si “dhunë psikologjike”, duke sugjeruar shembuj manipulimi emocional. Ai siguroi gazetarin se nuk kishte nevojë të shqetësohej për provat, pasi ai vetë do të krijonte historinë bazuar në përvojën e tij me raste të tjera dhe pohoi se “të gjitha” rastet e tij kishin rezultuar me sukses. U zbulua se ai nuk ishte as avokat i licencuar e as këshilltar i regjistruar për emigracionin, duke e bërë të paligjshme ofrimin e këtyre shërbimeve.

Kolegji i Këshilltarëve të Emigracionit dhe Shtetësisë njoftoi se do të hetojë rastin dhe do të marrë masa të rrepta për çdo shkelje, duke paralajmëruar publikun të përdorë vetëm këshilltarë të regjistruar.

**”Para të pista” dhe paralajmërime qeveritare**

Të dhënat e siguruara nga BBC News tregojnë se gjatë 12 muajve deri në shtator 2023, 5.596 emigrantë kanë bërë aplikime për lejeqëndrim të përhershëm si viktima të dhunës në familje. Rreth një e katërta e tyre (1.424) janë bërë nga burra, një rritje prej 66% krahasuar me dy vjet më parë, ndërsa aplikimet nga gratë janë rritur me 47%. Kjo ka shtuar shqetësimet për manipulimin e rregullave.

Ministria e Brendshme britanike thotë se një numër reference i një rasti penal, i vetëm, nuk konsiderohet provë e mjaftueshme për dhunë në familje. Megjithatë, një vlerësim i brendshëm i Ministrisë në vitin 2014 dhe një raport i Inspektorit të Pavarur Kryesor për Kufijtë dhe Emigracionin në 2015, kishin identifikuar tashmë mundësinë e keqpërdorimit të kësaj rruge dhe problemet me kontrollet mbi pretendimet.

Jess Phillips, zëvendësministre për mbrojtjen nga dhuna në Ministrinë e Brendshme britanike, dënoi ashpër këto veprime. “Keqpërdorimi i papranueshëm i kësaj rruge, e cila mbron viktimat e vërteta nga shkatërrimi i dhunës në familje, është thellësisht i turpshëm,” tha ajo. Ajo paralajmëroi se kushdo që përpiqet të mashtrojë popullin britanik për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar do t’i refuzohet aplikimi dhe do të dëbohet. “Avokatët e rremë që lehtësojnë këtë lloj abuzimi do të përfundojnë në burg dhe paratë e tyre të pista do të konfiskohen e do të përdoren për të luftuar krimin,” shtoi Phillips.

**Rasti i Aishës: Nga viktimë në “autore”**

Jess Phillips e ka parë këtë problem nga afër, pasi një rast i tillë preku personalisht një nga votueset e saj, Aishën (emër i ndryshuar). Aisha u njoh me ish-bashkëshortin e saj në një aplikacion takimesh, i cili fillimisht i premtoi “gjithçka” dhe e mbuloi me vëmendje. Pas një martese formale, marrëdhënia u përkeqësua. Ajo zbuloi se ai nuk kishte shtetësi britanike, siç kishte pretenduar, dhe ishte i varur nga ajo për vizën e tij si shtetas pakistanez.

“Ai u bë plotësisht kontrollues, shumë abuziv. Filloi të kërkonte me këmbëngulje që donte një fëmijë në këtë vend,” tregon Aisha. Ajo beson se miqtë e tij e kishin këshilluar se duhej të kishte një fëmijë për të siguruar qëndrimin. Kjo përfshinte, fatkeqësisht, edhe dhunim seksual. Ajo u largua nga shtëpia dhe raportoi incidentin në polici dhe Ministrinë e Brendshme.

Kur ish-partneri i saj mori një letër për ndërprerjen e vizës, ai iu kthye policisë duke pretenduar se ishte viktimë e dhunës në familje nga Aisha dhe familja e saj. “Pak para se të bënte raportimin për dhunë në familje, më tha: ‘Mos u shqetëso, kam shumë mënyra për të qëndruar këtu. Nuk kam nevojë për ty për të qëndruar në këtë vend’”, tregon ajo.

Megjithëse policia nuk ndërmori asnjë veprim ndaj Aishës për akuzat e ish-partnerit, dhe ajo nuk mbështeti ndjekjen penale për dhunim seksual, Autoritetit për Kompensimin e Dëmeve nga Krimi i dha asaj mbi 17.000 funte, duke vlerësuar se sulmi seksual kishte më shumë gjasa të kishte ndodhur.

Fushata e ish-bashkëshortit kundër Aishës nuk mbaroi. Në janar 2023, ajo u arrestua nga policia pas një tjetër akuze të rreme. Ajo kaloi tetë orë larg foshnjës së saj që e ushqente me gji, në një kohë kur vajza ishte alergjike ndaj qumështit formulë. Jess Phillips ndërhyri, duke besuar se arrestimi nuk do të kishte ndodhur nëse policia do të ishte në dijeni të historisë së tyre.

Aisha shpreh zhgënjimin e saj, duke thënë: “Ministria e Brendshme britanike po lejon që kjo të ndodhë. Ata e lejuan atë të vazhdonte këtë sjellje. Unë kam vuajtur katër vjet ferr për shkak të Ministrisë së Brendshme britanike.”