Hungaria duket se po shkon drejt heqjes dorë nga kundërshtimi i saj afatgjatë ndaj procesit të anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, një zhvillim që mund t’i hapë rrugën nisjes së negociatave zyrtare për pranimin e Ukrainës dhe Moldavisë në bllok.

Sipas raportimeve të Politico, që citon katër diplomatë evropianë, Budapesti ka sinjalizuar se nuk do të bllokojë hapjen e raundit të parë të negociatave, i cili pritet të zhvillohet në kuadër të një konference ndërqeveritare në Luksemburg më 15 qershor.

Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së pritet të finalizojnë deri në fund të kësaj jave qëndrimin e tyre për hapjen e grupit të parë të kapitujve negociues me Ukrainën dhe Moldavinë. Ky hap do të ndërmerret pasi Kievi të paraqesë planet për reformat e brendshme dhe të adresojë çështjet që lidhen me të drejtat e pakicave.

Procesi i anëtarësimit në BE kërkon miratimin unanim të të 27 shteteve anëtare, çka do të thotë se çdo vend ka të drejtën e vetos në çdo fazë të negociatave. Ukraina dhe Moldavia kanë aplikuar njëkohësisht për anëtarësim në BE, ndaj ecuria e procesit të tyre është e lidhur ngushtë.

Budapesti kishte mbajtur më herët një qëndrim kritik ndaj aspiratave evropiane të Ukrainës, kryesisht për shkak të shqetësimeve mbi të drejtat e pakicës hungareze që jeton në territorin ukrainas. Megjithatë, pas një takimi të zhvilluar mes ekspertëve ukrainas dhe hungarezë, raportohet se palët kanë shënuar përparim në adresimin e mosmarrëveshjeve.

Një zyrtar hungarez, duke folur në kushte anonimiteti, deklaroi se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për nisjen e bisedimeve me Ukrainën. Ndërkohë, autoritetet ukrainase thonë se shumica e kërkesave të paraqitura nga Budapesti janë adresuar dhe se heqja e vetos nuk varet më nga miratimi i ligjeve të reja në Ukrainë.