Dushan Maksimoviq, i akuzuar për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë, ka pretenduar pafajësinë para gjykatës duke deklaruar se natën e incidentit ndodhej në një vikendicë me miqtë. Gjatë dhënies së mbrojtjes, Maksimoviq dëshmoi se më 23 shtator 2023, pas orarit të punës, kishte shkuar në fshatin Suhodoll për një mbledhje shoqërore, ku sipas tij, kishin konsumuar alkool dhe kishin planifikuar disa punime në shtëpinë e pushimit. I akuzuari pohoi se për krismat në Banjskë ishte vënë në dijeni rreth orës 03:30 të mëngjesit përmes një shoku, por fillimisht kishte dyshuar se bëhej fjalë për ndonjë incident kontrabande. Sipas raportimit nga “Betimi për Drejtësi”, Maksimoviq deklaroi se ishte kthyer në banesën e tij rreth orës 07:00 të mëngjesit të datës 24 shtator, duke cituar edhe dëshmitarë të tjerë që, sipas tij, mund të vërtetojnë lëvizjet e tij gjatë orëve kritike të sulmit.