Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, deklaroi të hënën se është arritur një nivel mirëkuptimi me Shtetet e Bashkuara për shumë çështje, megjithatë një marrëveshje përfundimtare nuk është në horizont, raporton CNN.

Zoti Baghaei theksoi në një konferencë shtypi në Teheran se “nuk ka absolutisht asnjë garanci që Shtetet e Bashkuara do t’u përmbahen zotimeve të tyre.”

Ai sqaroi se programi bërthamor i Iranit nuk është pjesë e diskutimeve në këtë fazë dhe ritheksoi kërkesën e Teheranit për t’i dhënë fund luftës në të gjitha frontet, përfshirë këtu edhe Libanin.

Irani kërkon të shtyjë bisedimet mbi detajet e programit të tij bërthamor derisa të shpallet zyrtarisht përfundimi i luftës.

Baghaei theksoi se Teherani ka vërejtur ndryshime të vazhdueshme në pozicionet e administratës Trump. “Brenda pak orësh hasen qëndrime krejtësisht të ndryshme, madje shpesh edhe kontradiktore,” tha ai, duke shtuar se kjo “krijon probleme për çdo proces negociues.”

Lidhur me Ngushticën e Hormuzit, Baghaei refuzoi ta cilësonte planin e Iranit për të gjeneruar të ardhura prej saj si një tarifë kalimi. Në vend të kësaj, ai e karakterizoi atë si pagesa për “shërbime” të ofruara, duke përfshirë navigimin dhe mbrojtjen e mjedisit detar.

“Çdo vend i përgjegjshëm do të mirëpriste krijimin e një mekanizmi të besueshëm dhe të parashikueshëm për menaxhimin e tranzitit dhe lundrimit përmes Ngushticës së Hormuzit,” shtoi zëdhënësi.