Ish-deputeti Rrahmani kërkon sqarime nga diaspora për fondet e sigurimit
Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eman Rrahmani, i është drejtuar diasporës kosovare përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke i pyetur nëse kanë përfituar realisht nga fondet mbi 10 milionë euro të ndara nga Qeveria Kurti për pagesën e policave të sigurimit të automjeteve.
Rrahmani ka ftuar mërgimtarët të tregojnë publikisht shumat që kanë marrë, ose nëse nuk kanë përfituar fare, pasi ekzistojnë dyshime serioze për keqpërdorim të mundshëm të këtyre fondeve brenda Kosovës.
Në postimin e tij të plotë, Rrahmani shkruan:
“Mërgatë e nderuar,
Qeveria e Republikës së Kosovës ka paguar mbi 10 milionë euro për polica sigurimi për automjetet tuaja.
A i keni përfituar realisht ju këto mjete, apo kanë përfunduar diku tjetër?
Ju ftoj që publikisht të tregoni në komente:
– Sa keni marrë, në rast se keni përfituar;
– Ose të theksoni nëse nuk keni marrë asgjë.
Ekziston dyshimi serioz se këto mjete mund të jenë keqpërdorur brenda Kosovës. Prandaj, zëri juaj është i domosdoshëm për të zbardhur të vërtetën.”
