Ish-i burgosuri në rastin “Panda”, Vllaznim Përgjegjaj, ka reaguar publikisht lidhur me renovimin e objektit ku më 14 dhjetor 1998 u vranë gjashtë të rinj serbë në Pejë.
Përgjegjaj ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të hetojnë se kush ka dhënë urdhër për renovimin e lokalit “Panda”, kush e ka autorizuar dhe kush e ka financuar atë, transmeton IndeksOnline.
“Pas 28 vitesh, kush dha urdhër për renovimin e lokalit ‘Panda’ në Pejë? Kush e autorizoi dhe kush e financoi?”, pyet Përgjegjaj në reagimin e tij.
Ai ka ngritur shqetësimin se, nëse renovimi është financuar me mjete publike, qytetarët duhet të informohen për arsyet dhe mënyrën se si është ndërhyrë në këtë objekt.
“Ky objekt duhet të ruhet si dëshmi e historisë dhe e këtij rasti, jo të ndryshohet në mënyrë që të humbin gjurmë apo dëshmi që mund të jenë të rëndësishme për zbardhjen e së vërtetës”, ka shkruar ai.
Rasti “Panda” lidhet me sulmin e 14 dhjetorit 1998, kur dy persona të maskuar hapën zjarr në kafenenë “Panda” në Pejë, duke vrarë gjashtë të rinj serbë. Autorët e këtij sulmi vazhdojnë të mbeten të paidentifikuar publikisht.
Pas ngjarjes, një grup shqiptarësh, përfshirë edhe Vllaznim Përgjegjajn, u arrestuan nga autoritetet serbe dhe u lidhën me rastin.
Përgjegjaj ka deklaruar ndër vite se ishte keqtrajtuar ps arrestimit.
Përgjegjaj kërkon që institucionet kompetente të Kosovës të verifikojnë ndërhyrjet në objekt dhe të përcaktojnë nëse gjatë renovimit janë dëmtuar ose zhdukur materiale që mund të kenë rëndësi për hetimin.
“Unë, shokët e mi dhe shumë shqiptarë të pafajshëm kemi vuajtur rëndë në burgjet serbe për këtë rast. Prandaj nuk mund të heshtim”, ka deklaruar ai.
