**Divizioni i 82-të Ajror në Gjirin Persik: Njësia elitare e SHBA-së që ka vepruar edhe në Kosovë**
Dërgimi i mbi 1500 ushtarëve të Divizionit të 82-të Ajror të Ushtrisë Amerikane në Gjirin Persik, i urdhëruar nga administrata e atëhershme e Donald Trump, ka rigjallëruar interesin për këtë njësi elitare parashutistësh, një prej më të aftave në botë. Ky angazhim ka shtruar pyetje mbi rolin dhe aftësitë e saj për ndërhyrje të shpejta.
Brenda vetëm 18 orësh nga dhënia e urdhrit, njëra nga tre brigadat e këtij divizioni është në gjendje të dislokohet nga baza kryesore Fort Bragg në Karolinën e Veriut, drejt çdo pike të globit. Kjo aftësi e jashtëzakonshme e vendos Divizionin e 82-të në ballë të njësive ajrore-desante, falë edhe historisë së tij të gjatë me operacione luftarake në mbarë botën.
Në thelb, Divizioni i 82-të shërben si forca e parë amerikane që depërton në territorin e armikut, me misionin kyç për të siguruar objektiva strategjikë si aeroporte, porte, qendra komanduese-komunikuese, rezidenca presidenciale dhe objekte të tjera thelbësore.
Në kohë paqeje, divizioni strukturohet në tre brigada luftarake, secila me rreth 4500 ushtarë. Këto brigada, së bashku me batalionet e këmbësorisë, përbëjnë thelbin e forcës, ndërsa njësitë mbështetëse, si artileria dhe inteligjenca, e çojnë numrin total të personelit deri në 20 mijë ushtarë, sipas raportimeve të The New York Times.
Në çdo moment, njëra nga këto brigada mbahet në gatishmëri të plotë, duke qenë e aftë të plotësohet shpejt sipas kërkesave të operacioneve. Një karakteristikë dalluese është se të gjithë ushtarët, pa përjashtim, janë të trajnuar si parashutistë, duke bërë që shpesh të thuhet se në Divizionin e 82-të, “të gjithë fluturojnë me parashutë, nga kuzhinierët tek specialistët e operacioneve kibernetike”.
Ky divizion u formua në vitin 1917 si Divizioni i 82-të i Këmbësorisë dhe mori nofkën “All-American”, pasi ushtarët e tij vinin nga të gjitha shtetet e SHBA-së.
Pas arritjeve të shquara në vitin 1942, Divizioni i 82-të u shndërrua në njësinë e parë ajrore-desante amerikane. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai shënoi suksese thelbësore, duke e bërë atë njësinë më elitare të parashutistëve brenda Ushtrisë Amerikane.
Nga betejat në Itali pranë Salernos, përmes operacioneve në Normandi dhe “Market Garden”, deri te ofensivat e Ardenave dhe Pylli i Hürtgenit, Divizioni i 82-të ka qenë në ballë të shumë operacioneve kyçe të Ushtrisë Amerikane.
Gjatë Luftës së Ftohtë, divizioni mori pjesë në Luftën e Vietnamit, si dhe në ndërhyrje ushtarake në Panama dhe Grenadë. Më vonë, ai u angazhua në operacione paqeruajtëse në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, dhe më pas në Lindjen e Mesme, në Afganistan dhe Irak, si pjesë e luftës globale kundër terrorizmit.
/Telegrafi
