Fitorja 2-1 e Argjentinës ndaj Anglisë në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026 nuk u komentua vetëm për atë që ndodhi në fushën e lojës, por edhe për një gjest që shkaktoi reagime të forta politike.

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, futbollistët argjentinas festuan me një banderolë ku shkruhej “Las Malvinas son Argentinas” (“Ishujt Malvinas janë argjentinas”), duke rikthyer në qendër të vëmendjes mosmarrëveshjen e gjatë mes Argjentinës dhe Mbretërisë së Bashkuar për sovranitetin e Ishujve Falkland, shkruan IndeksOnline.

Sipas raportimit të Daily Mail, banderola nuk ishte pjesë e organizimit zyrtar të ekipit. Ajo ishte përgatitur nga tifozë argjentinas, të cilët përdorën një çarçaf hoteli për ta krijuar. Më pas, sipas rrëfimeve të tyre, flamuri u fut fshehurazi në stadium, ndërsa njëri prej tifozëve pretendoi se e kishte fshehur në të brendshme për të kaluar kontrollet e sigurisë.

Pas ndeshjes, tifozët ia hodhën banderolën lojtarëve, të cilët e shpalosën gjatë festimeve në fushë. Pamjet u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale dhe ngjallën reagime të shumta, veçanërisht në Britaninë e Madhe.

Ndërkohë, qeveria britanike dhe disa politikanë kërkuan nga FIFA të shqyrtojë rastin, duke argumentuar se rregulloret e organizmit botëror ndalojnë shfaqjen e mesazheve politike gjatë kompeticioneve zyrtare.

Deri më tani, FIFA nuk ka bërë të ditur nëse do të ndërmarrë masa disiplinore, por polemikat rreth banderolës vazhdojnë të dominojnë diskutimet pas një prej ndeshjeve më të rëndësishme të turneut./IndeksOnline/