Jakaj: Qeveria dështoi në mbrojtjen e punëtorit, nuk ka si ndërmjetësues as sindikatat, as pensionistët
I ftuar në emisionin “Tempus” në T7, Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), theksoi se Qeveria ka dështuar në mbrojtjen e punëtorit dhe se nuk ka si ndërmjetësues as sindikatat e as pensionistët.
“Për t’u kthyer tek pyetja konkrete, Qeveria Kurti ka dështuar të mbrojë punëtorin, përveçse ka arritur, në një masë të caktuar, të vendosë ato politika që i diskutova më herët, në formën e transfereve sociale. Pra, nuk e ka si ndërmjetësues as sindikatën, as shoqatën e pensionistëve”, tha Jakaj.
Më tej, Jakaj shtoi se Qeveria nuk e ka zbatuar ligjin për caktimin e pensionit bazë.
“Ne e dimë se si është rritur paga minimale në këtë rast, pa asnjë ndërmjetësues, pa asnjë shoqatë, dhe e dimë se si janë ndarë pensionet pa asnjë konsultim, pa asnjë zbatim të saktë të ligjit për zbatimin e metodologjisë për caktimin e pensionit bazë”, shtoi Jakaj.
