Superliga e Kosovës në Basketboll: Java e 26-të sjell derbi dhe beteja vendimtare për mbijetesë.

Fundjava në elitën e basketbollit kosovar premton emocione të forta, pasi xhiroja e 26-të e Superligës mund të përcaktojë fatin e disa skuadrave, si në garën për kreun e tabelës, ashtu edhe në luftën për mbijetesë.

Xhiroja nis me përballjen mes Trepçës dhe Borës, që luhet në orën 17:00. Skuadra mitrovicase e Trepçës e ka siguruar tashmë pozitën e tretë dhe luan pa presion, ndërsa Bora kërkon të shfrytëzojë maksimalisht këtë sfidë për pikë të vlefshme.

Vëmendja kryesore do të jetë në Gjakovë, ku në orën 19:30 Vëllaznimi do të presë Rahovecin 029. Me bilanc identik dhe të pozicionuara në fund të renditjes, kjo ndeshje është jetike për mbijetesën në elitë. Humbja mund të ketë pasoja fatale për cilëndo prej skuadrave.

Një tjetër duel me interes të jashtëzakonshëm është derbi klasik mes Pejës dhe Sigal Prishtinës, i cili nis në orën 17:00. Pavarësisht formës së dobët që kanë shfaqur këtë sezon, rivaliteti historik mes këtyre dy gjigantëve garanton spektakël dhe intensitet maksimal në parket.

Java mbyllet me ndeshjen mes Bashkimit dhe Golden Eagle Yllit, që luhet në orën 19:30. Prizrenasit e Bashkimit synojnë të ruajnë pozitën e dytë në tabelë, ndërsa Ylli kërkon të përmirësojë renditjen aktuale dhe të sigurojë një vend sa më të favorshëm për fazën e “play-off”-it.

Me derbi të zjarrta, rivalitet të thellë dhe ndeshje kyçe për mbijetesë, kjo fundjavë në Superligë pritet të jetë një nga më dramatike dhe vendimtaret e gjithë sezonit.