**Rama sfidon protestuesit: Edhe 500 mijë nuk mjaftojnë, pas meje qëndrojnë mbi 800 mijë votues**
Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestën e zhvilluar në Tiranë, duke theksuar se edhe sikur 500 mijë qytetarë të dalin në shesh nuk do të mjaftonin përballë mbështetjes elektorale prej mbi 800 mijë votuesish që kanë zgjedhur atë dhe Partinë Socialiste. Këto deklarata ai i bëri gjatë një takimi me banorët në Zvërnec.
“Jo 5 mijë veta, por edhe 500 mijë të dalin në shesh, nuk mjaftojnë, sepse janë më shumë se 800 mijë që kanë bërë marrëveshje me mua dhe Partinë Socialiste,” deklaroi Rama, duke shtuar se investimet aktuale nuk janë të papritura, pasi ai i ka bërë të ditura gjatë fushatës elektorale. Ai përmendi edhe një vizitë të tij në Tivat, ku sipas tij, ishte vendi më i pazhvilluar në Mal të Zi, pa turistë për shkak të bazës ushtarake.
Kreu i qeverisë, duke iu referuar motivacioneve të protestuesve, sugjeroi se ata mund të kërkojnë paga “si në Amerikë, ndoshta si në Manhatan.” Ai argumentoi se pagat në sektorin e turizmit shqiptar janë të krahasueshme ose edhe më të larta se ato në Greqi. “Këtu nuk është ‘Sa të të jap?’, këtu është ‘Hajde të punosh’,” theksoi Rama, duke përfunduar me shembullin e Tivatit ku, sipas tij, të gjithë punonjësit që takoi ishin malazezë.
