Kryetari i Komunës z. Ruzhdi Shehu priti në takim Ministrin e Zhvillimit Rajonal z. Rasim Demiri

Kryetari i Komunës së Junikut, z. Ruzhdi Shehu ka pritur sot në një takim zyrtar Ministrin e Zhvillimit Rajonal, z. Rasim Demiri, të shoqëruar nga z. Ylber Çitaku – U.D. Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë nga kabineti i ministrit.

Gjatë këtij takimi, Kryetari Shehu i njoftoi mbi ecurinë e projekteve të realizuara në nivel lokal, duke vlerësuar lart dhe shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e ngushtë institucional me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal në jetësimin e investimeve me rëndësi publike.

Në kuadër të këtij takimi, u diskutua mbi Marrëveshjen e Mirëkuptimit, të nënshkruar javë më parë, për bashkëfinancimin e projektit kapital “Ndërtimi i sallës së sporteve në komunën e Junikut”.

Ky projekt me rëndësi strategjike, i cili kap vlerën e përgjithshme prej 399,600.00 €, do të realizohet përmes bashkëfinancimit të drejtpërdrejtë mes Komunës dhe Ministrisë, duke konfirmuar përkushtimin e përbashkët për zhvillimin e infrastrukturës sportive në shërbim të rinisë dhe qytetarëve të Junikut.