Derbi i Stambollit mes Galatasarayt dhe Fenerbahçes u mbyll me skena të rënda, pasi futbollistët e të dyja skuadrave u përfshinë në një përleshje masive pas përfundimit të ndeshjes.

Galatasaray fitoi 2-1, por pas vërshëllimës së fundit situata doli jashtë kontrollit.

Gjithçka nisi nga përplasja mes Kerem Aktürkoğlu dhe Roland Sallait, përpara se konflikti të përhapej te futbollistët e tjerë dhe pjesëtarët e shtabeve teknike, shkruan “Gazeta Express”.

Momenti më i tensionuar ishte përleshja mes kapitenit të Galatasarayt, Abdülkerim Bardakcı, dhe mbrojtësit të Fenerbahçes, Archie Brown, të cilët përfunduan në tokë.

Për të ndalur incidentin u desh ndërhyrja e policisë. Gjyqtari Atilla Karaoğlan ndëshkoi me kartonë të kuq Bardakcı dhe Brown, ndërsa Aktürkoğlu dhe Sallai morën kartonë të verdhë.

Në fushë, Victor Osimhen ishte vendimtar për Galatasarayn, duke realizuar të dy golat e fitores.

Megjithatë, pamjet e përleshjes pas ndeshjes e zhvendosën vëmendjen nga rezultati te skenat e shëmtuara në një prej rivaliteteve më të zjarrta të futbollit turk. /Gazeta Express