Kapiteni i Kepit të Gjelbër, Ryan Mendes, është akuzuar për përdhunimin e një gruaje që punonte si përkthyese e ekipit gjatë një udhëtimi të fundit.
Mendes, 36 vjeç, dyshohet se ka sulmuar seksualisht një grua braziliane, e cila ishte punësuar si përkthyese për udhëtimin e përfaqësueses së Kepit të Gjelbër në Zelandën e Re në muajin mars.
Ngjarja e dyshuar ka ndodhur në një hotel ku ishte akomoduar ekipi në Auckland.
Sipas mediumit brazilian “Globo”, gruaja, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, ishte punësuar nga Kepi i Gjelbër për të punuar gjatë FIFA Series në fillim të këtij viti.
Ajo pretendon se u sulmua pasi ishte ftuar në një takim në një dhomë hoteli pas ndeshjes kundër Kilit më 27 mars.
Sapo mbërriti në takim, ajo kuptoi se bëhej fjalë për një mbledhje shoqërore dhe jo për një takim zyrtar, ndaj vendosi të largohej.
Gruaja pretendon se Mendes e ndoqi deri në dhomën e saj të hotelit dhe hyri me forcë sapo ajo hapi derën pasi ai kishte trokitur.
Sipas deklaratës së saj për policinë e Zelandës së Re, të cituar nga “Globo”, Mendes më pas e kapi për fyti, e goditi me grushte, e kafshoi dhe më pas e përdhunoi.
Pas sulmit, ajo bëri fotografi që iu dorëzuan mediumit brazilian, ku shiheshin mavijosje në qafën e saj.
Më vonë, ajo u paraqit në një klinikë për viktimat e dhunës seksuale për të marrë trajtim.
Pas një ekzaminimi mjeko-ligjor, u konstatuan mavijosje në qafë, gjoks dhe buzë, ndërsa ekzaminimi gjenital zbuloi “dy lezione rrethore, të dhimbshme në prekje”.
Rezultatet e këtij ekzaminimi iu dërguan Policisë së Zelandës së Re më 10 prill.
Gruaja pretendon gjithashtu se e raportoi incidentin te të paktën tre zyrtarë të Federatës së Futbollit të Kepit të Gjelbër, por nuk mori asnjë përgjigje.
Më 10 maj, ajo dhe bashkëshorti i saj dërguan ankesa zyrtare te Federata e Futbollit e Kepit të Gjelbër dhe FIFA, duke përfshirë edhe raportin mjekësor si provë të pretendimeve për përdhunim.
Ata kërkuan që Mendes të pezullohej nga pjesëmarrja në Kupën e Botës, por gruaja pretendon se nuk mori përgjigje nga FIFA.
Në një deklaratë për “SPORTbible”, një zëdhënës i FIFA-s konfirmoi se organizata është “në kontakt me autoritetet e Zelandës së Re”, por shtoi se “nuk mund të komentojë më tej në këtë fazë”.
“FIFA e merr jashtëzakonisht seriozisht çdo pretendim për sjellje të papërshtatshme dhe ka një proces të qartë për këdo në futboll që dëshiron të raportojë një incident”, shtoi zëdhënësi./GazetaExpress/
Ryan Mendes nuk është shpallur fajtor për këto akuza dhe ato mbeten pretendime, ndërsa çdo hetim apo procedurë ligjore është ende në zhvillim.
