KEDS paralajmëron konferencë për njehsorët elektrikë më 1 prill, premton “sqarime zyrtare”

Kompania KEDS ka njoftuar mbajtjen e një konference për media më 1 prill, ku pritet të japë sqarime rreth çështjes së njehsorëve elektrikë, e ngritur së fundmi në opinionin publik nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Konferenca do të mbahet të martën, më 1 prill, duke nisur nga ora 15:00, në zyrat qendrore të KEDS-it, sipas njoftimit të lëshuar nga kompania.

Në njoftim, KEDS fton mediat të marrin pjesë për të përcjellë “qëndrimet dhe sqarimet zyrtare lidhur me këtë çështje”. Kompania thekson se mbetet “e përkushtuar ndaj transparencës, korrektësisë dhe informimit të drejtë ndaj qytetarëve të Kosovës”.

Akuzat kundrejt KEDS-it u ngritën nga Visar Azemi i LDK-së, i cili në disa konferenca për shtyp ka pohuar se qytetarët po manipulohen përmes keqllogaritjeve të energjisë elektrike të shpenzuar në njehsorë.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke mbështetur akuzat, kërkoi “hetim të menjëhershëm, përgjegjësi institucionale, kompensim për qytetarët dhe ndaljen e çdo rritjeje të tarifave deri në zbardhjen e plotë të gjendjes reale”.