KEK-u Nis Remontin Vjetor të Njësisë B2, Premton Standarde të BE-së
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar fillimin e remontit të rregullt vjetor 30-ditor për njësinë B2 në Termocentralin Kosova B. Sipas KEK-ut, investimet e ndërmarra në këtë njësi janë drejt arritjes së standardeve të Bashkimit Evropian.
Ky proces, i planifikuar rregullisht, ka për qëllim kryesor mirëmbajtjen teknike, rritjen e sigurisë në operim dhe garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të njësisë, bën të ditur KEK-u.
Gjithashtu, KEK-u thekson se edhe njësia B1 e Termocentralit Kosova B ka qenë objekt i projekteve madhore të modernizimit. Këto projekte përfshijnë ndërtimin e elektrofiltrave dhe sistemit DeNOx, punime të cilat kanë nisur në muajin prill dhe pritet të përfundojnë në fillim të muajit dhjetor.
Pas përfundimit të këtyre investimeve, pritet një rritje e ndjeshme e sigurisë së operimeve, zgjatja e jetëgjatësisë së njësisë për rreth 20 vite dhe, ç’është më e rëndësishmja, sigurimi i funksionimit në përputhje me standardet më të larta të Bashkimit Evropian për mbrojtjen e mjedisit.
