Korporata Energjetike e Kosovës ka dhënë kontratën për realizimin e projektit “Furnizimi dhe ndërrimi me hoja në kullën ftohëse të bllokut A4 në TC Kosova A”, një investim që synon përmirësimin e funksionimit të sistemit industrial të ftohjes në termocentral.

Sipas njoftimit për dhënie të kontratës, vlera e përgjithshme e projektit arrin në 487,104 euro, ndërsa kontrata i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë “Bahri Asllani, SPIG S.P.A dhe Ekoinvest Sh.P.K.”, pas përfundimit të procedurës së hapur të prokurimit.

KEK-u kishte parashikuar fillimisht një buxhet prej 499,966 euro, që nënkupton se oferta fituese është rreth 12,800 euro më e ulët se vlera e planifikuar, raporton IndeksOnline.

Kulla ftohëse e bllokut A4 është pjesë e sistemit qendror të ftohjes industriale në kompleksin e rikonstruktuar REKO PRAHA.

Gjatë inspektimeve teknike periodike janë identifikuar dëmtime në disa elemente të brendshme të kullës, të shkaktuara nga konsumimi afatgjatë, ekspozimi ndaj ujit të trajtuar kimikisht dhe ngarkesat termike.

Projekti parasheh zëvendësimin e këtyre elementeve me qëllim të rikthimit të efikasitetit termik dhe funksionalitetit të plotë të sistemit.

Për këtë aktivitet prokurimi janë pranuar gjithsej katër tenderë, ndërsa kriter për përzgjedhjen e fituesit ka qenë çmimi më i ulët.

Kontrata u dha dje./IndeksOnline/