Kenan Yildiz i është nënshtruar një operacioni për një frakturë të metatarsalit në këmbën e majtë, ka konfirmuar Juventus, dhe pritet të mungojë për dy deri në tre muaj. Ndërkohë, edhe Jeff Ekhator ka pësuar një dëmtim të ri.

Lajmi ishte paralajmëruar gjatë javës së fundit, pasi Yildiz pësoi dëmtimin në ndeshjen hapëse të sezonit të Serie A ndaj Frosinones.

U bë menjëherë e qartë se ai do t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale për të trajtuar frakturën dhe se do të qëndronte për një periudhë të gjatë jashtë fushave.

Edhe pse në njoftimin zyrtar nuk është specifikuar kohëzgjatja e mungesës, pritet që Yildiz të jetë jashtë për rreth dy deri në tre muaj, para se të rikthehet në fushë.

Në një komunikatë të publikuar nga Juventus, klubi konfirmoi se Kenan Yildiz iu nënshtrua një operacioni për të trajtuar një frakturë në bazën e kockës së pestë metatarsale të këmbës së majtë.

Ndërhyrja u krye në Augsburg Hessingpark Klinik nga doktori Martin Jordan, në prani të mjekut të klubit, Dr. Marco Freschi.

Yildiz do të nisë programin e rehabilitimit gjatë 24-48 orëve të ardhshme.

Megjithatë, ky nuk ishte lajmi i vetëm i keq për Juventusin, pasi edhe Jeff Ekhator iu nënshtrua ekzaminimeve, të cilat zbuluan një dëmtim të shkallës së moderuar në muskulin semitendinoz të kofshës së djathtë.

Ky është një tjetër dëmtim për Ekhatorin, pas atij që pësoi menjëherë pas përfundimit të transferimit të tij nga Genoa. Për të përcaktuar “kohën e saktë të rikuperimit”, do të nevojiten ekzaminime të tjera pas dy javësh.

Edhe në rastin e Ekhatorit, pritet që mungesa të jetë rreth dy muaj./GazetaExpress/