Prokuroria kërkon paraburgim për nëntë të dyshuar për mashtrim masiv përmes “call center”-ave

**PRISHTINË** – Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit për nëntë persona, të cilët dyshohen se kanë kryer veprat penale të mashtrimit dhe mashtrimit kompjuterik, duke përdorur “call center”-a.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit me inicialet T.S., D.M., D.H., R.H., P.R., A.P., F.Z., D.H., dhe B.E., akuzohen për “Mashtrim” dhe “Mashtrim kompjuterik”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Dyshimet e Prokurorisë tregojnë se gjatë vitit 2026, deri më 23 tetor 2026, në Prishtinë, në disa lokacione të shfrytëzuara si qendra thirrjesh (call center), përfshirë rrugët “Muharrem Fejza” dhe “Ali Aliu Kelmendi”, të pandehurit kanë vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar. Me role të ndara dhe me qëllim përfitimi të paligjshëm financiar, ata kanë mashtruar shtetas suedezë dhe të huaj, duke u paraqitur fakte të rreme dhe duke i nxitur t’u dëmtojnë pasurinë e tyre. Këto veprime përbëjnë veprën penale “Mashtrimi”.

Më tej, Prokuroria thekson se ekziston dyshimi i bazuar që, po në të njëjtën periudhë, të pandehurit kanë shfrytëzuar pajisje dhe sisteme kompjuterike për të fituar qasje në distancë në kompjuterët e viktimave – shtetas të huaj. Ata u kanë prezantuar veten rrejshëm si përfaqësues të kompanive të investimeve financiare, duke kryer kështu veprën penale të “Mashtrimit kompjuterik”.

Të nëntë të pandehurit janë ndaluar për 48 orë që nga data 23 tetor 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, në lidhje me veprat penale të lartpërmendura.