Zgjedhjet e 7 qershorit: Lista e dhjetë kandidatëve më të votuar
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur procesin e numërimit të votave për zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa rinumërimi i tyre pritet të nisë sot.
Sipas rezultateve të përpunuara nga KQZ, të cilat përfshijnë të gjitha votat e numëruara deri më tani, lista e dhjetë kandidatëve më të votuar mbizotërohet nga përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në krye të kësaj liste renditet Albin Kurti me 342.331 vota, i ndjekur nga Glauk Konjufca me 264.330 vota dhe Albulena Haxhiu me 165.126 vota. Hekuran Murati pozicionohet i katërti me 137.810 vota, ndërsa Donika Gërvalla-Schwarz është e pesta me 131.841 vota.
Sa u përket partive të tjera, kandidati më i votuar është Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i cili ka marrë 126.936 vota dhe renditet i gjashti në nivel vendi.
Listën e dhjetë më të votuarve e plotësojnë Xhelal Sveçla me 109.263 vota, Vjosa Osmani-Sadriu me 92.234 vota, Ejup Maqedonci me 89.308 vota dhe Avni Dehari me 89.182 vota.
Ndërkohë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pozicionohet i dymbëdhjeti me 83.892 vota.
Sipas rezultateve paraprake të përpunuara, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 47.13% të votave dhe 53 mandate, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 19.44% me 22 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 16.69% me 18 mandate, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) 6.74% me 7 mandate.
