FIFA do të shpërblejë klubet që kanë vënë në dispozicion lojtarët e tyre për Kupën e Botës 2026, në kuadër të programit Club Benefits Programme, duke ndarë miliona dollarë si kompensim për angazhimin e futbollistëve me kombëtaret e tyre.
Sipas renditjes së publikuar, Manchester City është klubi që përfiton më shumë në nivel global, falë numrit të madh të lojtarëve të tij që morën pjesë në turne dhe ecurisë së tyre me kombëtaret, shkruan IndeksOnline.
Ndërkohë, në Itali, vendin e parë e mban Milani, i cili rezulton klubi i Serie A me përfitimet më të larta nga Botërori.
Pas Milanit renditen Atalanta, Interi, Juventusi dhe Bologna, ndërsa kompensimet llogariten në bazë të numrit të lojtarëve të liruar për kombëtaret dhe kohës që ata kanë kaluar në turne.
Programi FIFA Club Benefits Programme është krijuar për të shpërblyer klubet për kontributin e tyre në organizimin e Kupës së Botës.
Për edicionin 2026, FIFA ka ndarë një fond prej 355 milionë dollarësh, ku 250 milionë do të shpërndahen për klubet që kanë lojtarë në fazën finale të Botërorit, ndërsa pjesa tjetër u dedikohet klubeve që kanë liruar futbollistë gjatë ndeshjeve kualifikuese.
Kjo skemë synon të kompensojë klubet për periudhën gjatë së cilës lojtarët e tyre janë në shërbim të kombëtareve, duke shpërblyer kështu kontributin e tyre në suksesin e kompeticionit më të madh të futbollit botëror./IndeksOnline/
