Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, peshon më shumë se 140 kilogramë dhe klasifikohet si i prekur nga obeziteti i rëndë, sipas vlerësimit të fundit të shërbimit inteligjent të Koresë së Jugut.
Të dhënat u bënë publike nga deputeti jugkorean Youn Kun-young, i cili tha se Kim është në një grup me rrezik të lartë për sëmundje kardiovaskulare.
Megjithatë, sipas tij, lideri koreano-verior nuk shfaq aktualisht vështirësi në aktivitetet fizike dhe mund të ngjisë shkallët pa probleme.
“Vlerësohet se nuk ka probleme të dukshme shëndetësore, pasi ekipi i tij mjekësor e monitoron vazhdimisht dhe nga afër”, deklaroi Youn, raporon IndeksOnline.
Kim Jong Un, i njohur edhe për pirjen e duhanit, ka qenë prej vitesh në qendër të spekulimeve për gjendjen e tij shëndetësore. Në vitin 2020, mungesa e tij për rreth 20 ditë nga jeta publike nxiti raportime për probleme të mundshme shëndetësore.
Edhe babai i tij, Kim Jong Il, dhe gjyshi, Kim Il Sung, ishin duhanpirës dhe mbipeshë. Të dy vdiqën nga sulmet në zemër.
Ndërkohë, vëmendja ndaj shëndetit të liderit koreano-verior lidhet edhe me rëndësinë e tij për stabilitetin politik të vendit dhe çështjen e trashëgimisë së pushtetit në rast të një situate të papritur.
Koreja e Veriut përballet prej vitesh me sanksione ndërkombëtare, probleme ekonomike dhe mungesa të ushqimit. Në kontrast me këtë situatë, Kim Jong Un raportohet se preferon ushqime luksoze, përfshirë havjarin, karavidhet dhe mëlçinë e patës. /IndeksOnline/
