**Avokati Koci paralajmëron udhëtarët: Kujdes me postimet në rrjetet sociale para udhëtimit në Serbi**

Qytetarët që synojnë të udhëtojnë ose të kalojnë tranzit përmes Serbisë duhet të tregojnë kujdes të veçantë me përmbajtjet e publikuara në rrjetet sociale dhe platformat publike online. Ky paralajmërim vjen nga avokati Arianit Koci, i cili thekson se edhe aktiviteti në internet mund të ketë pasoja ligjore në territorin serb.

Në një reagim të bërë publik në Facebook, Koci theksoi se postimet, komentet ose çdo përmbajtje tjetër që mund të interpretohet si fyese, kërcënuese apo nxitëse e urrejtjes, rrezikon të tërheqë vëmendjen e autoriteteve serbe dhe të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi. Ai paralajmëron se situata të tilla mund të rezultojnë në pasoja serioze për qytetarët, në varësi të rrethanave dhe interpretimit ligjor të autoriteteve.

“Qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se përmbajtjet e publikuara në rrjetet sociale, përfshirë komentet dhe postimet e vjetra, mund të shqyrtohen nga autoritetet gjatë hyrjes ose qëndrimit në Serbi,” ka deklaruar Koci. “Nëse këto përmbajtje vlerësohen si fyese, kërcënuese apo nxitëse e urrejtjes, atëherë, në varësi të legjislacionit dhe rrethanave konkrete, ekziston mundësia që personat të ndalohen, të intervistohen dhe madje të procedohen penalisht ose për kundërvajtje.”

Koci u bën thirrje qytetarëve që, para udhëtimit, të jenë të kujdesshëm dhe të rishikojnë me imtësi aktivitetin e tyre publik online. Ai thekson se përmbajtjet digjitale mund të kenë ndikim real në procedurat kufitare dhe gjatë qëndrimit në një shtet tjetër.