**Kosovë: Kompania Stridar Fillon Prodhimit e Robotëve Ushtarakë Tokësorë**
Kompania Stridar Kosovo, në bashkëpunim me partnerin amerikan Stridar Inc., ka shënuar një hap të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, duke prezantuar zyrtarisht dhe duke nisur prodhimin në Kosovë të platformës robotike tokësore pa pilot (UGV) SideRunner.
Prezantimi publik u mbajt më 30 qershor në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, si pjesë e festimeve “Freedom250”, me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë amerikane.
SideRunner është fryt i bashkëpunimit mes Stridar Inc. dhe Stridar Kosovo, me ambicien që Kosova të shndërrohet në një qendër kyçe për prodhimin dhe eksportin e kësaj platforme drejt tregjeve evropiane, amerikane, të Lindjes së Mesme dhe më gjerë.
Platforma është zhvilluar dhe përmirësuar në vazhdimësi, duke u bazuar në përvojat dhe sugjerimet e marra nga njësitë ukrainase dhe përdorues të tjerë ndërkombëtarë. Testime të thelluara janë kryer edhe në bashkëpunim me Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, për të siguruar përmbushjen e kërkesave operacionale të misioneve moderne.
SideRunner është projektuar si një sistem me përdorim të dyfishtë, duke ofruar zgjidhje të avancuara jo vetëm për forcat e armatosura dhe agjencitë e sigurisë, por edhe për policinë, njësitë speciale, reagimin në raste emergjencash, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, inspektimet industriale dhe operacionet e kërkim-shpëtimit.
Para prezantimit publik, objektet e Stridar Kosovo u vizituan nga Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, i shoqëruar nga përfaqësues ushtarakë të Ambasadës së SHBA-së në Kosovë. Gjatë vizitës, delegacioni u njoh me kapacitetet prodhuese të kompanisë dhe me platformën SideRunner, duke shprehur mbështetje të plotë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë dhe duke treguar interes për bashkëpunim të ardhshëm.
Fillimi i prodhimit të SideRunner shënon një hap thelbësor për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes në Kosovë, duke e pozicionuar vendin jo vetëm si përdorues, por edhe si projektues, prodhues dhe eksportues të teknologjive të avancuara. Ky projekt parashikohet të kontribuojë ndjeshëm në rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore dhe në forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare të teknologjive të mbrojtjes.
