Kongresisti Ritchie Torres, së bashku me kolegët e tij Gregory W. Meeks, Michael McCaul dhe Brian Mast, të cilët secili pasuan kongresistin Eliot Engel në krye të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, prezantuan legjislacion për ta emërtuar ndërtesën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, si “Eliot L. Engel Building”.
Nisma dypartiake synon të nderojë trashëgiminë e Engelit për mbështetjen ndaj popullit të Kosovës.
“Jemi mirënjohës ndaj anëtarëve të Kongresit për sponsorizimin e legjislacionit për riemërtimin e ndërtesës së Ambasadës Amerikane”, tha familja Engel. “Ne e kemi parë se si përpjekjet e tij bënë ndryshim për miliona kosovarë dhe jemi të nderuar që ambasada, për të cilën ai preu shiritin inaugurues, mund të mbajë emrin e tij. Ky është një vlerësim i denjë për përkushtimin e tij në forcimin e lidhjeve të forta mes popullit të Kosovës dhe kombit tonë”.
Ndërkaq, kongresisti Torres tha se Eliot Engel nuk ishte thjesht një anëtar i Kongresit, por se ai ishte hero për shumë njerëz.
“Jetët e qindra mijëra njerëzve u shpëtuan falë angazhimit të tij të palëkundur. Ai luajti rol kyç në mbrojtjen e shqiptarëve të Kosovës nga spastrimi etnik dhe gjenocidi nga regjimi vrastar i Sllobodan Millosheviqit. Për dekada me radhë, ai ishte institucion në Bronks dhe luftëtar i vendosur për pavarësinë e demokracisë më të re në botë: Kosovës. Trashëgimia që ai lë pas do të zgjasë për brezat që vijnë dhe ky legjislacion do të sigurojë që puna e tij të nderohet përgjithmonë”, tha Torres.
Ndërkaq, kolegu i tij, Meeks, tha se gjatë gjithë mandatit të tij në Kongres dhe si kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel ishte mbështetës i palëkundur i Kosovës.
“Nga ngritja e hershme e vetëdijes për mizoritë, te avokimi për veprim të NATO-s dhe mbështetja për pavarësinë e Kosovës, udhëheqja e tij ndihmoi në formësimin e një marrëdhënieje të fortë dhe afatgjatë ShBA-Kosovë. Trashëgimia e tij është ajo e qartësisë morale, diplomacisë me parime dhe përkushtimit të palëkundur ndaj të drejtave të njeriut. Jam krenar t’i bashkohem përfaqësuesit Torres dhe ish-kryetarëve të tjerë të komitetit për prezantimin e këtij legjislacioni, për të siguruar që trashëgimia e Eliotit të jetojë jo vetëm në Nju Jork dhe në Shtetet e Bashkuara, por edhe në Kosovë dhe në mbarë botën”, u shpreh Meeks.
Vlerësim për punën e Engel pati edhe McCaul: “Eliot Engel ishte shërbyes i përkushtuar publik, mik i qëndrueshëm dhe kryetar jashtëzakonisht efektiv që mbrojti demokracinë dhe të drejtat e njeriut në mbarë botën – veçanërisht në demokracinë në zhvillim të Kosovës. Një shtyllë e Kongresit që fitonte vazhdimisht respekt përtej vijave partiake, ai udhëhoqi Komitetin për Punë të Jashtme me bindjen se ‘partishmëria ndalet në kufijtë e ujit’. Jam krenar që bashkëudhëheq këtë projektligj për të siguruar që ambasada në Kosovë të qëndrojë si dëshmi e përhershme e trashëgimisë së tij të jashtëzakonshme në udhëheqje me parime, qartësi morale dhe përkushtim të palëkundur ndaj lirisë”, tha McCaul.
Ndërsa kryesuesi i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Brian Mast, tha se nuk ka mënyrë më të denjë për ta nderuar trashëgiminë e Eliot Engelit. “Si kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ai ishte mbrojtës i vendosur i lirisë dhe demokracisë në Kosovë dhe në mbarë botën. Ky legjislacion do ta gdhendte atë trashëgimi në histori për brezat që do të vijnë”, tha Mast.
Ish-kongresisti Engel përfaqësoi distriktet e 16-të, 17-të dhe 19-të të Nju Jorkut gjatë tri dekadave të tij në Kongres dhe shërbeu si kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve nga viti 2019 deri më 2021. Ai ishte zëri kryesor në Kongres për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ShBA-ja dhe mbajti lidhje të thella me komunitetin shqiptaro-amerikan gjatë gjithë mandatit të tij.
Ai vdiq më 10 prill të këtij viti, në moshën 79-vjeçare.
Projektligji i është referuar Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve.
