Konjufca shpreh ngushëllime për tragjedinë në Austri: Diaspora, shtyllë e pazëvendësueshme

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka shprehur ngushëllimet e tij të thella pas një aksidenti tragjik në Vjenë të Austrisë, ku humbën jetën tre qytetarë të Kosovës. Ngjarja e rëndë ndodhi si pasojë e një aksidenti në vendin e punës.

Përmes një mesazhi, Konjufca theksoi dhimbjen e tij të thellë për këtë humbje dhe garantoi se institucionet e Kosovës janë angazhuar menjëherë për të qenë pranë familjeve të viktimave. Ai bëri të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë, ka qenë dhe vazhdon të jetë në koordinim të vazhdueshëm me familjet dhe autoritetet përkatëse për të ofruar mbështetje dhe lehtësuar procedurat e nevojshme.

Konjufca identifikoi viktimat si Asllan Musliu, Istref Zekaj dhe Pajtim Bajrami, duke i cilësuar ata si pjesë të diasporës sonë, “një shtyllë e pazëvendësueshme e Kosovës”. Ai theksoi se për dekada, bashkëatdhetarët tanë jashtë vendit kanë mbajtur gjallë lidhjen me atdheun, kanë mbështetur familjet, kanë kontribuar në zhvillimin ekonomik e shoqëror të vendit dhe kanë qenë zëri i Kosovës kudo në botë. Humbja e tyre, shtoi Konjufca, nuk është vetëm një humbje për familjet, por për gjithë shoqërinë kosovare, e cila ka gjetur mbështetje kryesore në përkushtimin dhe sakrificën e tyre në kohërat më të vështira.