Kosovë-Belgjikë: Miratohet projektligji për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale
Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale. Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit.
Qeveria theksoi se marrëveshja synon “forcimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të të dyja vendeve në sigurimin e provave, zhvillimin e procedurave penale dhe luftimin e kriminalitetit përtej kufijve shtetërorë”.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, u shpreh se: “Kjo Marrëveshje forcon kuadrin ligjor të bashkëpunimit mes dy shteteve tona në çështjet penale, dhe rregullon procedurat për sekuestrimin e konfiskimin e pasurisë, si dhe krijimin e grupeve të përbashkëta hetimore, me qëllim të rritjes së efikasitetit në luftimin e krimit transnacional”.
Marrëveshja parashikon krijimin e rregullave të përbashkëta për shkëmbimin e provave, kryerjen e veprimeve hetimore e procedurale, si dhe trajtimin e kërkesave për ndihmë juridike. Ajo do të përcaktojë qartë përgjegjësitë e autoriteteve të të dy shteteve dhe kushtet për zbatimin ligjor të tyre.
