Kosova thellon deficitin tregtar në qershor: importe 680 milionë euro, rritje mbi 16%
Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një thellim të deficitit tregtar në muajin qershor, duke arritur në 578.3 milionë euro. Kjo shënon një rritje prej 16.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur deficiti ishte 498.3 milionë euro.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) raporton se rritja e importeve ka vazhduar të tejkalojë ritmin e eksporteve edhe gjatë muajit qershor, duke ndikuar në rritjen e deficitit tregtar. Gjatë këtij muaji, eksportet e mallrave arritën në 102 milionë euro, ndërsa importet kapën vlerën e 680.3 milionë eurove.
Krahasuar me qershorin e vitit të kaluar, eksportet shënuan një rritje prej 26.9%, ndërsa importet u rritën për 17.6%. Megjithatë, pavarësisht rritjes së eksporteve, ato mbuluan vetëm 15% të vlerës së importeve.
Ky trend tregon se Kosova vazhdon të ketë një varësi të lartë nga importet, ndërsa prodhimi vendor nuk arrin të mbulojë kërkesën e brendshme dhe të rrisë ndjeshëm pjesëmarrjen në tregjet e jashtme.
/Monitor/
