**Kreshnik Smajlaj zgjidhet kryetar i AAK-së në Prishtinë**

Kreshnik Smajlaj është zgjedhur kryetar i degës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Prishtinë. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i partisë, Ramush Haradinaj.

Haradinaj theksoi se kryeqyteti ka një rëndësi të veçantë për Aleancën.

“Prishtina është qendra ku matet vizioni për zhvillimin dhe energjia e ndryshimit që i duhet Kosovës. Prandaj, gjatë qeverisjes së Aleancës, kryeqytetit i ofruam mbështetje konkrete dhe vëmendjen që meriton një kryeqytet evropian,” tha Haradinaj.

Duke folur në Kuvendin Zgjedhor të Aleancës në Prishtinë, Haradinaj shprehu kënaqësinë për mobilizimin e strukturave të partisë. “Ishte kënaqësi që bashkë me kryetarin Ardian Gjini të shohim mobilizimin dhe energjinë e strukturave tona,” u shpreh ai.

Haradinaj e uroi Smajlajn për zgjedhjen në krye të degës, duke e vlerësuar atë. “Urime Kreshnik Smajlajt për zgjedhjen Kryetar i Degës së Aleancës në Prishtinë. Si njëri ndër kandidatët më të votuar të Aleancës në zgjedhjet e fundit komunale, ai përfaqëson një gjeneratë të re politikani, kreativ, të përkushtuar dhe i dëshmuar edhe si sipërmarrës i suksesshëm në kryeqytet,” shtoi Haradinaj.

Ai gjithashtu falënderoi kryetarin e deritanishëm, Brahim Mehmetaj, për angazhimin dhe kontributin e tij në krye të Aleancës në Prishtinë, si dhe për shërbimin e vazhdueshëm ndaj qytetarëve të kryeqytetit.

Në përfundim, kreu i AAK-së deklaroi se “Aleanca po hyn e mobilizuar në një fazë të re fuqizimi, në Prishtinë dhe në gjithë Kosovën, drejt përmbylljes së zgjedhjeve të brendshme dhe zgjedhjeve të 7 qershorit.”