**Meta dhe YouTube humbasin gjyqin në SHBA – Dëmshpërblim për varësi, ankth dhe depresion te një 20-vjeçare**
Koncerni “Meta” (që zotëron Facebook-un dhe Instagram-in) dhe “YouTube” (nën ombrellën e Google) kanë humbur një proces gjyqësor të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara, ku u akuzuan se platformat e tyre online nxisin varësinë tek përdoruesit. Një juri në Los Anxhelos arriti në përfundimin se kompanitë kanë vepruar me pakujdesi dhe nuk i kanë informuar plotësisht përdoruesit për rreziqet e mundshme.
Sipas vendimit, juria i akordoi paditëses 20-vjeçare një dëmshpërblim prej tre milionë dollarësh, prej të cilave 70 për qind do të mbulohen nga “Meta”. Kompania “Google” njoftoi se do ta apelojë vendimin, duke theksuar se “YouTube” nuk konsiderohet rrjet social. Edhe “Meta” deklaroi se nuk pajtohet me këtë vendim dhe po shqyrton të gjitha opsionet ligjore në dispozicion.
Paditësja akuzoi platformat se i kishin dizajnuar shërbimet e tyre qëllimisht për të krijuar varësi tek përdoruesit, duke përmendur si shembull funksionin e “scroll-it të pafundmë”. Ajo dëshmoi se kishte filluar t’i përdorte këto platforma që në fëmijëri dhe lidh gjendjen e saj aktuale të depresionit dhe ankthit me përdorimin e tyre intensiv. Padia ishte drejtuar kundër “YouTube” dhe “Instagram-it”. Konkurrentët “Snapchat” dhe “TikTok” shmangën pjesëmarrjen në këtë proces gjyqësor duke arritur marrëveshje paraprake.
Ky vendim pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm për qindra padi të ngjashme që presin të shqyrtohen. Të dyja kompanitë, “Meta” dhe “Google”, i hodhën poshtë akuzat, dhe vetë CEO i “Meta-s”, Mark Zuckerberg, dëshmoi para jurisë. Vlen të përmendet se para këtij procesi në Los Anxhelos, një juri në Nju-Meksiko dënoi “Meta-n” me një gjobë prej 375 milionë dollarësh, pasi arriti në përfundimin se kompania nuk kishte marrë masa të mjaftueshme për të mbrojtur përdoruesit e rinj. “Meta” ka paralajmëruar se do ta apelojë edhe këtë vendim.
Burimi: DW
