Nis gjyqi për krime lufte ndaj ish-gardianes serbe Nadica Cepkenoviq

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca gjyqësore kundër Nadica Cepkenoviq, ish-gardiane serbe, e cila akuzohet për krime lufte të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Çështja lidhet me periudhën e viteve 1998-1999, kur Cepkenoviq shërbente si gardiane në burgun e Prishtinës, konkretisht në seksionin për gra në Lipjan.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Cepkenoviq, në bashkëpunim me gardiane të tjera, dyshohet se ka keqtrajtuar dhe torturuar sistematikisht të burgosur shqiptarë.

Prokuroria pretendon se të burgosurit janë rrahur me mjete të ndryshme, si shkopinj gome, shqelma dhe grushte, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore. Aktakuza përshkruan gjithashtu pasojat e rënda fizike dhe psikologjike që viktimat kanë përjetuar si pasojë e këtyre veprimeve.

Aktakuza kundër Cepkenoviqit është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 16 janar 2026. Ajo akuzohet për veprën penale “Krime kundër popullatës civile”, bazuar në nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-RSFJ-së.

(Burimi: IndeksOnline)