Kriza Presidenciale: Analistët paralajmërojnë kompromis ose zgjedhje të reja për të shmangur bllokadën

Kosova po përballet me një krizë institucionale lidhur me zgjedhjen e presidentit, ndërsa afati i 5 tetorit po afron. Analistët politikë u bëjnë thirrje partive që të vendosin shpejt: ose të arrijnë një kompromis për kreun e shtetit, ose t’i drejtohen zgjedhjeve të parakohshme. Kjo pasi, pas kësaj date, vendi rrezikon të mbetet pa president, me pasoja të rënda institucionale dhe politike.

Mungesa e konsensusit po e çon Kosovën drejt një periudhe të re bllokade institucionale. Nëse nuk sigurohet kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit, nga 5 tetori Kosova do të mbetet pa kreun e shtetit. Ekspertët theksojnë se çdo vonesë në formimin e institucioneve para tetorit do t’i kushtojë vendit me pasoja të mëtejshme politike dhe institucionale.

Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, e cilëson situatën si “të paprecedentë dhe të rrezikshme”, duke theksuar se ajo “cenon sigurinë kombëtare të Kosovës”. Ai paralajmëron se është hera e parë që një shtet në rajonin e Bashkimit Evropian mund të funksionojë pa titullarë kyç.

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, ngulmon se nëse debati shterrohet pa zgjidhje, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të shpejta. Ai argumenton se deri më 5 tetor Kosova duhet të ketë një Kuvend të ri, qeveri të re dhe një president legjitim, të votuar nga Kuvendi. Përndryshe, pas kësaj date, Kosova do të përballet me “anarki kushtetuese”, pa asnjë institucion funksional që të thërrasë palët për konsensus.

Zvarritja e formimit të institucioneve i ka shkaktuar Kosovës humbjen e dhjetëra miliona eurove nga Plani i Rritjes. Ngërçi politik, sipas Jakajt, do të dëmtojë rëndë edhe diplomacinë, shërbimin e jashtëm dhe përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare, veçanërisht në Bashkimin Evropian.

Për momentin, Lëvizjes Vetëvendosje i mungojnë gjashtë vota për të zgjedhur presidentin e ri. Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë deklaruar se nuk do të ofrojnë kontribut në këtë drejtim.