Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka vlerësuar se Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ai thekson se marrëveshja politike për zgjedhjen e presidentit të vendit nuk mund të prodhojë rezultat të qëndrueshëm nëse palët nuk tregojnë seriozitet dhe nuk arrijnë një konsensus të mirëfilltë.

Gjatë një interviste për emisionin “Five” të Dukagjinit, Kryeziu u shpreh se, bazuar në përvojën e tij dhe zhvillimet aktuale politike, nuk pret që situata të zgjidhet përmes marrëveshjeve të këtij lloji.

“Unë konsideroj se nuk mund të arrihet ndonjë marrëveshje në këtë mënyrë. Palët duhet të jenë më serioze në marrëveshje dhe të mos merren me deklarata sipërfaqësore apo pa përmbajtje. Kjo çështje kërkon një konsensus dhe seriozitet të vërtetë,” theksoi Kryeziu.

Sipas tij, epilogu më i mundshëm i krizës aktuale politike është shkuarja e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme. “Përmbyllja e gjithë kësaj situate, besoj, është shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme,” deklaroi ai.

Mungesën e seriozitetit politik, Kryeziu e lidhi edhe me mënyrën se si është zhvilluar procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ai kujtoi se Kuvendi duhej të konstituohej brenda afatit prej 30 ditësh nga shpallja e rezultateve të zgjedhjeve, ndërsa procesi u nis vetëm në ditën e fundit të këtij afati dhe nuk u përmbyll.

“Mungesa e seriozitetit vërehet edhe te konstituimi i Kuvendit. Konstituimi duhej të ishte bërë brenda 30 ditëve, nga momenti i shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve. Dhe palët e nisën procesin vetëm në ditën e tridhjetë. Kjo dëshmon vazhdimisht mungesë serioziteti për krijimin e institucioneve,” u shpreh ish-gjyqtari i Kushtetueses.

Kjo deklaratë e Kryeziut vjen në një kohë kur partitë politike nuk kanë arritur të sigurojnë konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, ndërsa marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut ka hasur në kundërshtime të brendshme brenda LDK-së. Dështimi për të siguruar votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit mund ta rikthejë vendin në një cikël të ri zgjedhor.