Kryeziu: Kurti s’mund të jetë edhe moralist, edhe mashtrues; mijëra punëtorë janë larguar nga puna

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për deputet, Qëndrim Kryeziu, mbajti një konferencë për media ku adresoi kritika të ashpra ndaj kryeministrit aktual, Albin Kurti. Kryeziu deklaroi se Kurti “nuk mund të jetë edhe moralist edhe mashtrues”, duke e etiketuar gjithashtu si “super hajn”.

Ai renditi disa çështje për të cilat pretendoi se Kurti po mashtron opinionin publik. Në fillim, Kryeziu tha se javën e kaluar kishte demonstruar në veri funksionimin e dinarit serb dhe strukturave paralele. Për të dëshmuar këtë, ai, gjatë konferencës, futi një letër dhe një pako cigaresh në një zarf, duke deklaruar se do ta dërgonte atë përmes postës paralele serbe në Graçanicë.

Më pas, Kryeziu u fokusua në gjendjen ekonomike, duke pohuar se kishte vizituar disa biznese, përfshirë një fabrikë në Prizren, që, sipas tij, ishte mbyllur. Në këtë fabrikë punonin 22 punëtorë dhe 12 fermerë bashkëpunues. “Secili fermer kishte nga 15 deri në 20 punëtorë të rregullt dhe, në kohë sezoni, kjo fabrikë dhe fermerët e saj kishin deri në 30 punëtorë. Do të thotë, mbi 220 punëtorë i ke larguar duke e dëmtuar dhe shkatërruar ekonominë e vendit tonë,” tha Kryeziu, duke implikuar përgjegjësinë e Kurtit.

Ai gjithashtu deklaroi se gjatë udhëtimit nga Prizreni në Gjakovë kishte vërejtur qindra biznese të mbyllura, konkretisht mbi 185 sosh, mes të cilave biznese që merren me përpunimin e rërës dhe zhavorrit. “Tash e dy vjet ua kanë marrë licencat, janë mbi 10 mijë punëtorë që janë larguar nga vendi i punës, kryeministër. Si duket ti nuk je argat i këtij vendi për me punu, por argat i ndonjë vendi tjetër. Në vend se me punu ne, me ndërtu e me zhvillu vendin, ti shkon e i mbyll bizneset. Mbi 10 mijë punëtorë i ke larguar prej punës, të cilët kanë marrë rrugën e Evropës për shkakun tënd,” citohet të ketë thënë Kryeziu. Në shenjë simbolike, ai paraqiti një grusht zhavorr, duke thënë se ia kishin dhënë punëtorët e larguar për t’ia përcjellë Kurtit.

Në fund të konferencës, Kryeziu përmendi edhe ligjin për regjistrimin e popullsisë, duke akuzuar se ai u mundëson individëve të cilët pretendojnë se kanë jetuar në Kosovë deri në janar të vitit 1998, të regjistrohen, të marrin pasaporta dhe pensione të Kosovës pa pasur asnjë kontribut paraprak në vend. Ai e përfundoi fjalën e tij duke përsëritur pyetjen retorike: “Argat i kujt je ti?”