Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i cili sot u nominua nga partia si kandidat për Kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit, shpërndau disa batuta me shaka drejtuar bashkëpartiakëve të tij, duke freskuar atmosferën.

Fillimisht, Kurti iu drejtua Albulena Haxhiut, e cila aktualisht mban detyrën e Presidentes së Kosovës.

“E nderuara kryetare e Grave për Vetëvendosje dhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, si dhe ushtruese detyre e Presidentes… kërkoj falje nëse kam harruar ndonjë funksion tjetër që ajo mban,” citohet të ketë thënë Kurti.

Më tej, kreu i LVV-së iu referua Avni Deharit, ish-deputetit të LVV-së, duke i thënë të përgatitej për të udhëhequr sërish seancat e Kuvendit të Kosovës.

“I nderuari axha Avni, besoj se së shpejti do të udhëheqësh edhe seancën tjetër, kësaj radhe të legjislaturës së 11, dhe kështu gradualisht po të krijohet një tjetër mandat. Njerëzit, ndoshta, do të fillojnë të të referohen si ‘Dehari 3’ në verën e vitit 2026,” u shpreh Kurti.