Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vlerësoi se marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe amerikanëve janë të veçanta dhe se ato i kanë rrënjët thellë përpara luftës së fundit në Kosovë, duke theksuar rolin thelbësor të diasporës shqiptare në forcimin e këtyre lidhjeve.

Këto deklarata Kurti i bëri gjatë pritjes në zyrën e tij të një delegacioni grash nga Kalifornia, Uashingtoni, Ishulli i Manit dhe Bullgaria, të cilat po vizitojnë Kosovën në kuadër të programit “Ethno Tour 2026”, organizuar nga antropologia Janet Reineck.

Kurti theksoi se marrëdhënia midis shqiptarëve dhe amerikanëve “ka qenë e veçantë jo vetëm prej fundit të shekullit të kaluar dhe Luftës Çlirimtare, por që nga ardhja e emigrantëve të parë shqiptarë në Shtetet e Bashkuara qysh në shekullin XIX”. Ai shtoi se kjo histori çoi në themelimin e Federatës Panshqiptare të Amerikës “Vatra” në Boston, në vitin 1912.

“Që nga mbështetja e Presidentit Woodrow Wilson deri te ndikimi i priftit dhe mendimtarit shqiptar në mërgim, Fan Noli, diaspora jonë ka luajtur një rol kyç në ndërtimin dhe ruajtjen e kësaj lidhjeje të vyer”, citua Kurti, sipas KosovaPress.

Ai theksoi se gjatë takimit me Janet Reineck diskutuan edhe për progresin e Kosovës dhe rolin e diasporës.

“Mërgata jonë e dashur janë ambasadorët tanë masivë, duke ardhur gjithmonë në vendlindje dhe duke e promovuar atë”, u shpreh kryeministri.

Gjatë takimit me pjesëmarrëset e “Ethno Tour 2026”, të cilat janë profesioniste në fusha si inxhinieria mjedisore, planifikimi urban, shëndetësia, arsimi dhe teknologjia e informacionit, u diskutua gjerësisht edhe për të drejtat e njeriut, kulturën, arsimin, shërbimet për të moshuarit, bujqësinë dhe ekonominë.