Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media pas tentimit të tretë gjatë ditës së sotme për zgjedhjen e presidentit, ka thënë se Hatixhe Hoxha është e gatshme të japë dorëheqje nga kandidatura vetëm nëse LDK sjell një kandidat për president, raporton Ekonomia Online.
“E tash, në këtë situatë, unë jam përballur shpesh me interesimet tuaja lidhur me atë listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës me 15 nënshkrime, e cila kishte datën e pardjeshme në mbrëmje, por nuk kishte emër sipër se për kë janë ato 15 nënshkrime.
Pasi përfundoi edhe ky vazhdim i një seance që nuk po përfundon dhe do të vazhdojë në orën 23:00, unë kam komunikuar menjëherë me kandidaten, profesoreshën Hatixhe Hoxha, dhe kam biseduar me të, me ç’rast ajo është dakorduar që të tërhiqet nga kandidatura nëse Lidhja Demokratike e Kosovës i sjell 15 nënshkrime për kandidatin e saj, kushdo qoftë.
Me atë rast, Lëvizja Vetëvendosje i plotëson edhe 15 nënshkrime të tjera nga mazhoranca, meqenëse tash lirohen ato nënshkrime me tërheqjen e Hatixhe Hoxhës, dhe në këtë mënyrë do të kishim një kandidat nga shoqëria civile dhe një kandidat nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Kurti.

